“Loja e Thaçit e Mustafës me FSK-në rrezikon pavarësinë e shtetit”

18.03.2017 18:13
“Loja e Thaçit e Mustafës me FSK-në rrezikon pavarësinë e shtetit”

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka thënë se presidenti Hashim Thaçi e kryeministri Isa Mustafa “e kanë kthyer në top ping-pongu formimin e ushtrisë”.

Selimi në reagim ndaj deklaratës së kryeministri Isa Mustafsa të dhënë të shtunën, se Ushtria e Kosovës nuk do të bëhet pa koordinim me Amerikën, ka thënë se ajo çfarë po bëjnë Thaçi e Mustafa është një lojë e rrezikshme që nuk duhet bërë.

“Thaçi e Mustafa herë njëri, herë tjetër çështjen e FSK-së apo themelimit të forcave të armatosura, apo çështjen e rritjes së kapaciteteve  të FSK-së e kanë kthyer në një top ping pongu, ku herë njëri, e herë tjetri e gjuajnë këtë top”, ka thënë Selimi për lajmi.net.

Deputeti dhe anëtari i Komisionit për Punë të Brendshme dhe Mbikëqyrje të FSK-së, Rexhep Selimi ka thënë se presidenti dhe kryeministri përveç lojës me ushtrinë, po bëjnë lojë edhe me partnerët strategjik të Kosovës.

“Në rastin konkret të çështjes së plotësim-ndryshimit të ligjit për FSK-në, ata nuk po bëjnë lojë vetëm më sigurinë e Kosovës, por në anën tjetër po bëjë me diçka që është shumë jetike për Kosovën, siç është partneriteti me aleatët strategjik”.

“Kjo lojë me FSK-në dhe loja me aleatët strategjik  është lojë me sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës. Kjo është një lojë shumë e rrezikshme që nuk duhet të vazhdojë më”, është shprehur Selimi.

Ai ka thënë se Vetëvendosje për çështje parimore ka mbështetur rritjen e kapaciteteve  të FSK-së ose edhe formimin e Ushtrisë së Kosovës me anë të ndryshimeve kushtetuese.

Nisma e presidentit Thaçi që Kosova të formojë ushtrinë përmes ndryshimit të projektligjit për FSK-në e jo me anë të ndryshimeve kushtetuese ku kërkohet edhe vota e deputetëve serb nuk ka gjetur përkrahjen e SHBA-ve, NATO-së dhe BE-së.