Lladrovci me kazmë në dorë inspekton punimet

Lladrovci me kazmë në dorë inspekton punimet

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka dalë në terren për të parë nga afër realizimin e një projekti infrastrukturor, që ka të bëjë me heqjen e zhavorrit në rrugën e Komoranit.

Lladrovci kishte marrë me vete edhe drejtorin e Urbanizmit dhe organin mbikëqyrës të punimeve.

“Kanë inspektuar rrugën e Komoranit, afër postës ku është duke u larguar zhavori pas ndërprerjes së punimeve, pasi që punëkryresi nuk ishte duke kryer punimet sipas kontratës”, thuhet në njoftimin e komunës.

Për ta vërtetuar këtë, kryetari Lladrovci nuk ka hezituar që vetë ta kapte kazmën dhe t’i merrte mostrat e zhavorrit.

“Gjatë këtyre inspektimeve, kryetari Lladrovci, me një mjet pune, ka bërë gërmimin e zhavorit për të marrë mostrat se zhavori nuk është shtruar sipas kontratës”, thuhet në njoftim.

Lladrovci ka theksuar se për kryerjen e punëve në terren për realizimin e projekteve të parapara, do të jetë i pakompromisë me operatorët ekonomikë, që nëse nuk i kryejnë punimet sipas paramasave dhe kontratave, do t’u ndërpriten punimet.

“Në Komunën e Drenasit nuk do të lejoj asnjë punim jashtë paramasave dhe jashtë standardeve të nënshkruara në kontratë. Mua nuk me interesojnë çmimet se sa kushton një projekt, mua me intereson cilësia e punimeve që i ka të parapara me kontratë”, ka thënë Lladrovci.

“Kërkojë bashkëpunimin e secilit qytetar të Komunës së Drenasit që të na i lehtësojnë punët në realizimin e projekteve, ne do i përcjellim secilit qytetar që kërkon paramasat dhe parallogaritë, pasi që me taksapaguesit e tyre edhe kryhen këto investime”, ka thënë kryetari Lladrovci./Insajderi.com