Lladrovci frikësohet se gratë në Drenas do të paraqiten viktima të dhunës për të përfituar banesë

“Viktimat e dhunës mundemi me i fut në kategorinë e përfituesve por mujna me pas shumë telashe, sepse mund të merren vesh viktimat mes vete, shkon paraqitet si viktimë e dhunës dhe ajo pastaj me burrin banon prapë aty dhe ish kanë me rrezik. Pajtohem nëse ju e votoni, por ish kanë me rrezik”, ka thënë Lladrovci.

Lladrovci frikësohet se gratë në Drenas do të paraqiten viktima të dhunës për të përfituar banesë

Kur me 14 mars 2013, Kuvendi i Kosovës diskutoi për Ligjin për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, personave të dhunuar gjatë luftës, deputeti i PDK-së, Shaim Muja kërkoi “ekzaminim të viktimave të dhunës”, ngjalli reagime të ashpra për gjuhë seksiste.

Qysh atëherë deputetë dhe zyrtarë të lartë në nivel qendror dhe lokal u treguan të kujdesshëm me gjuhën e tyre ndaj kësaj kategorie të viktimave, por pesë vjet më pas, një gjuhë e tillë është përmendur sërish.

Tash është kryetari i Drenasit gjithashtu nga PDK-ja, Ramiz Lladrovci i cili në mbledhjen komunale të mbajtur me 31 mars të këtij viti ka bërë një krahasim fyes për kategorinë e viktimave të dhunës seksuale.

Bëhet fjalë për një rregullore që Komuna e Drenasit në këtë mbledhje të Asamblesë Komunale e miratoi në lidhje me disa banesa komunale të cilat do të jepen me qera për përfituesit.

Disa prej kategorive të cilat do të kenë përparësi që të përfitojnë banesat me qera nga komuna, janë edhe familjet e dëshmorëve, luftëtarët e UÇK-së dhe familjarët e viktimave civile gjatë luftës së fundit. Por mungojnë viktimat e dhunës.

E kjo ka bërë që një asambleiste në këtë komunë të pyes kryetarin Lladrovci që në listën e personave që do të kenë përparësi në marrjen e këtyre banesave me qera, të jenë edhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

E arsyetimi i Lladrovcit ka qenë pak a shumë i njëjtë me atë të deputetit Muja.

“Viktimat e dhunës mundemi me i fut në kategorinë  e përfituesve por mujna me pas shumë telashe, sepse mund të merren vesh viktimat mes vete, shkon paraqitet si viktimë e dhunës dhe ajo pastaj me burrin banon prapë aty dhe ish kanë me rrezik. Pajtohem nëse ju e votoni, por ish kanë me rrezik”, ka thënë Lladrovci.

Ai la të nënkuptohej se edhe njerëzit që nuk janë viktimat e dhunës seksuale do të bëhen si të tillë për të përfituar banesën me qera nga komuna.

Viktimat e dhunës seksuale janë kategoria e vetme e dala nga lufta që deri më tash janë kategoria e vetme që nuk mbrohen me ligj e as nuk kanë mbështetje financiare nga shteti./Insajderi.com

Ne, dhunuesit veteranë