Lladrovci i gëzohet lirimit të Sami Lushtakut

Lladrovci i gëzohet lirimit të Sami Lushtakut

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka thënë se vendimi i Gjykatës Supreme për lirimin e ish-komandantit të zonës së Drenicës, Sami Lushtakut, riktheu shpresën për drejtësi.

Në një reagim në llogarinë  e tij në facebook, Lladrovci ka thënë se shërbyesit e sistemit të ish-Jugosllavisë duhet të turpërohen nga ky lajm”.

“Në rrugëtimin e çlirimit tonë, patëm me vete edhe botën demokratike në krye me NATO-n prandaj, të gjithë servilët, puthadorët dhe shërbyesit e ish sistemit jugosllav, por edhe të partive që duan të fshijnë kujtesën tonë të lavdishme, duhet sot të turpërohen”, ka deklaruar Lladrovci.

“Lajmi i shumëpritur nga Gjykata Supreme për lirimin e Sami Lushtakut nga të gjitha akuzat për krime lufte, për të cilat ishte dënuar me 12 vite nga Gjykata Themelore në Veri të Mitrovicës, na riktheu shpresën në drejtësi”, ka thënë Lladrovci.

Kryetari i Drenasit ka thënë se “vlerat e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, askush, kurrë askush nuk mund t’i mjegullojë as t’i transformoj në akuza. Liria jonë ishte më e çmueshme se çdo akuzë nga kushdoqoftë”.