Trepça ’89 mposhtet në Ishujt Faroe

Trepça '89 e ka humbur ndeshjen e parë dhe historike në fazën e parë parakualifikuese të Ligës së Kampionëve ndaj skuadrës nga Ishujt Faroe Vikingur Gota, me rezultat 2 me 1.

Trepça ’89 mposhtet në Ishujt Faroe

Trepça ’89 humb në ndeshjen e parë të fazës së parë parakualifikuese të Ligës së Kampionëve. Skuadra kampione e Kosovës u mposht 2 me 1 nga Vikingur Gota, në ndeshjen e zhvilluar në Torshavn.

Vatnhamar realizoi i pari në ndeshje për vendasit duke shënuar ndaj kosovarëve në minutën e 17-të. 89-shi arriti të barazonte rezultatin në pjesën e parë përmes Fiton Hajdarit që shënoi supergol në minutën e 39-të.

Lawal shënoi golin e fitores për vendasit në minutën e 73-të.

Takimi i kthimit dhe vendimtari për kalim në raundin e dytë zhvillohet më 4 korrik në Mitrovicë. /Insajderi.com

Komentimi i gjithë ndeshjes ndërmjet Vikingur dhe Trepçës ’89:

Minuta e 90-të: Rast i artë për Trepçën ’89. Kushtrim Lushtaku godet shtyllën pas një gjuajtje me kokë. Krosimi erdhi nga Fiton Hajdari. Gjyqtari, ndërkohë, ka akorduar tre minuta lojë shtesë.

Minuta e 89-të: Rast i shkëlqyer për Vikingurin. Solvi Vatnhamar gjuan nga një distancë prej rreth 10 metrave, por pret portieri Manxholli.

Minuta e 88-të: Korner për Trepçën ’89. Lushtaku merr përsipër ta ekzekutojë, por rivënja e topit në lojë nuk sjell asgjë.

Minuta e 86-të: Tentim nga distanca i Kushtrim Lushtakut, por goditja e tij bllokohet nga mbrojtësit e skuadrës së Vikingur. Rezultati mbetet 2-1.

Minuta e 83-të: Zëvendësim tek radhët e Vikingur Gotas. Inkuadrohet në lojë Hansen, del nga loja Anghel.

Minuta e 80-të: Një rast i mirë për Trepçën ’89. Ylber Maloku tenton të shënojë, por gjuajtja e tij përfundon jashtë portës.

Minuta e 74-të: Zëvendësimi i tretë dhe i fundit për Trepçën ’89. Del nga loja kapiteni Shpëtim Idrizi, në vend të tij inkuadrohet Kushtrim Lushtaku.

Minuta e 73-të: GOL! Shënon Vikingur Gota. Rezultati 2-1 për skuadrën nga Ishujt Faroe. Pas një harkimi nga ana e djathtë e fushës, portieri Enis Manxholli nuk arrin ta largojë rrezikun dhe Trepça ’89 pëson golin e dytë. Autor i golit: Lawal.

Minuta e 71-të: Kapiteni i mitrovicave Shpëtim Idrizi gjuan nga rreth 25 metra distancë nga porta, por gjuajtja e tij përfundon mbi portën e portierit Rasmussen.

Minuta e 67-të: Shënuesi i golit të parë për Trepçën ’89, Fiton Hajdari, krijon një tjetër mundësi të mirë për shënim. Goditja e tij nga brenda zonës së rreptësisë përfundon në duart e portierit.

Minuta e 63-të: Aksion i rrezikshëm i Vikingur Gotas, por sulmuesi Vatnhamar ishte në pozicion jashtë loje.

Minuta e 62-të: Shpëtim Idrizi shkakton faull në sulmuesin e Vikingurit, Solvi Vatnhamar. Nuk ndëshkohet.

Minuta e 60-të: Zëvendësim tek Trepça ’89. Nga loja del sulmuesi John Otto John, në vend të tij inkuadrohet Chibuze.

Minuta e 56-të: Shënuesi i golit për Vikingurin, Solvi Vatnhamar regjistron një tjetër goditje. Pas një krosimi në zonë, Vatnhamar gjuan, por lart mbi portën e Manxhollit. Rezultati mbetet 1-1.

Minuta e 53-të: Tjetër korner për Vikingur Gotan – i katërti. Futbollistët e skuadrës nga Ishujt Faroe shkaktojnë faull në portierin Enis Manxholli. Gjuajtje e lirë për Trepçën ’89.

Minuta e 52-të: Korneri i tretë për Vikingur Gota. Solvi Vatnhamar merr përsipër rivënjen e topit në lojë. Djodeviç gjuan në portë, por nuk shënon.

Minuta e 49-të: Tjetër mundësi për Trepçën ’89. Fiton Hajdari regjistron një goditje në portë, por nuk arrin të shënojë. Rezultati mbetet 1-1.

Fillon pjesa e dytë

VIDEO: Supergoli i shënuar nga sulmuesi i skuadrës kosovare, Fiton Hajdari në minutën e 39-të.

Statistikat e pjesës së parë: 

Gjuajtjet: Vikingur 7 – 10 Trepça ’89

Gjuajtjet në portë: Vikingur 2 – 4 Trepça ’89

Goditje nga këndi: Vikingur 2 – 3 Trepça ’89

Përfundon pjesa e parë: Vikingur Gota 1 – 1 Trepça ’89. E para në epërsi kaloi skuadra nga Ishujt Faroe me anë të Solvi Vatnhamar në minutën e 17-të. Skuadra kosovare barazoi me anë të Fiton Hajdarit në minutën e 39-të.

Minuta e 45-të: Jacobsen merr përsipër gjuajtjen e lirë. Goditja e tij bllokohet nga Ylber Maloku. Rezultati mbetet 1-1.

Minuta e 45-të: Gjyqtari estonez Frischer sinjalizon për një minutë lojë shtesë. Broja shkakton ndërhyrje të palejueshme në Vatnhamar. Gjuajtje e lirë për Vikingur.

Minuta e 44-të: Florent Hasani gjuan, por goditja e tij bllokohet nga mbrojtësi i Vikingur, Rassmusen. Një tjetër goditje nga këndi për Trepçën ’89.

Minuta e 41-të: Pas golit të shënuar, skuadra e Trepçës ’89 vazhdon të sulmojë. Ylber Maloku regjistron një goditje, por jashtë portës. Rezultati mbetet 1-1.

Minuta e 39-të: Fiton Hajdari shënon për Trepçën ’89 për ta barazuar rezultatin në 1 me 1.

Minuta e 38-të: Gjuajtje e lirë në favor të skuadrës kosovare. Shpëtim Idrizi merr përsipër që të gjuajë. Goditja e tij përfundon jashtë portës.

Minuta e 38-të: Zëvendësim tek Trepça ’89. Nga loja del Lapidar Lladrovci, në vend të tij inkuadrohet Ylber Maloku.

Minuta e 38-të: Jacobsen i Vikingur Gotas shkakton tjetër ndërhyrrje të palejuar. Nuk ka ndëshkim për asnjë nga futbollistët, pas kalimit të 38 minutave.

Minuta e 32-të: Tjetër ndërhyrje e palejuar në futbollistët e Trepçës. Aghle i Vikingur shkakton faull në Rron Brojën në mesin e fushës.

Minuta e 31-të: Pas krijimit të një rasti të mirë përmes sulmuesit nigerian Otto John, Trepça ’89 rrezikon sërish përmes mesfushorit Florent Hasani. 21-vjeçari nga Vushtrria gjuan, por jashtë portës. Rezultati mbetet i pandryshuar, 1-0 për Vikingur.

Minuta e 29-të: Shënuesi i vetëm në ndeshje, Vatnhamar shkakton faull tjetër në mesfushorin Argjend Mustafa.

Minuta e 28-të: Mundësi e shkëlqyer për skuadrën e Trepçës ’89. Sulmuesi otto John gjuan drejt portës, por nuk arrin të shënojë. Rezultati mbetet i pandryshuar, 1-0 për skuadrën nga Ishujt Faroe.

Minuta e 25-të: Jacobsen i Vikingur Gota penalizohet për një faull në Lapidar Lladrovcin e Trepçës ’89.

Minuta e 23-të: Korner për Trepçën ’89. Argjend Mustafa merr përspier rivënjen nga këndi.

Minuta e 22-të: Gjuajtje drejt portës e kapitenit të Trepçës ’89, Spëtim Idrizi, por nuk gjuan brenda kuadratit. Rezultati 1-0.

Minuta e 2o-të : Deri në minutën e 20-të të takimit, skuadra e Ishujve Faroe ka gjuajtur 4 herë në drejtim të portës së Enis Manxhollit ndërsa Trepça ’89 ka realizuar dy goditje në total. Vikingur ka pasur dy rivënje nga këndi, ndërsa Trepça ’89 asnjë.

Minuta e 17-të: Shënon Vikingur Gota me anë të Vatnhamar. Skuadra kosovare kalon në disavantazh ndaj skuadrës së Ishujve Faroe. Rezultati 1-0.

Ndeshja e fazës së parë kualifikuese për Ligën e Kampionëve ndërmjet Vikingur dhe Trepçës ’89, direkt.