Lista Serbe thotë se nuk është e interesuar për poste ministrore

Lista Serbe thotë se nuk është e interesuar për poste ministrore

Kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë se subjekti i tij politik nuk do të shkojë në konsultimet e thirrura nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në lidhje me seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.

“Si president i Listës Serbe, e falënderoj për ftesën për konsultime rreth datës së mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit dhe mund të them se Lista Serbe nuk do të shkojë në atë takim”, ka thënë Rakiq.

“Përfaqësuesit e Listës Serbe do të marrin parasysh thirrjen për verifikim të mandateve në pajtim me ligjin, por nuk dëshirojmë që përfaqësuesit serbë dhe populli serb të jetë në mes të çekanit dhe kudhrës” ka thënë Rakiq.

Rakiq ka thënë se sa i përket koalicioneve të mundshme, Lista Serbe do të konsultohet me Beogradin zyrtar.

“Ngaqë emri i mbajtësit të mandatit është i njohur, ne do të kryejmë konsultime me Beogradin dhe do të vendosim për koalicione të mundshme. Ne jemi të gatshëm për bisedime, sepse dialogu nuk ka alternativë”, ka deklaruar Rakiq.

E krejt në fund, derisa nuk e përmendi asnjëherë funksionin e Thaçit si President i Kosovës, Rakiq e përmendi “Presidentin Vuçiq”, për të cilin tha se është duke sjell paqe në rajon.

“Ne jemi të gatshëm ta ndjekim politikën e paqes, të nisur nga Presidenti Aleksandar Vuçiq. Nuk jemi të interesuar për funksionin dhe numrin e posteve ministrore, por për një jetë më të mirë për serbët në Kosovë dhe Metohi”, tha Rakiq.