Lista Serbe reagon ndaj vendimit të Qeverisë për pronat e RSFJ-së

Lista Serbe reagon ndaj vendimit të Qeverisë për pronat e RSFJ-së

Kryetari i Listës Serbe, Slavko Simiq, ka deklaruar se vendimi i Qeverisë së Kosovës për regjistrimin në pronësi të saj të të gjithë pronës që dikur ishte në pronësi të RSFJ-së, Serbisë dhe Krahinës Autonome, “është represiv dhe ai duhet menjëherë të tërhiqet”.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës është tendencioz dhe paraqet përpjekje që përmes vendimeve të institucioneve të Kosovës të vazhdohet represioni mbi popullatën serbe në Kosovë dhe Metohi, me marrjen e pasurisë shoqërore e private të popullit serb”, ka thënë Simiq, citojnë mediet serbe.

Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, ndërkaq, prej tetorit të vitit të kaluar, kur është miratuar Ligji për Trepçën dhe për investimet kapitale, po i bojkotojnë institucionet e vendit dhe vendimi për pronat e paluajtshme u mor pa pjesëmarrjen e tyre.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës ka bërë që drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, të takohet të mërkurën me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës.

Për më tepër, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të gjitha  patundshmëritë që ishin në emër të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, përkatësisht të ish-Republikës Socialiste të Serbisë që ndodhen në Kosovë, të regjistrohen tashmë si prona të Kosovës.

“Të gjitha pronat e paluajtshme të regjistruara në emër të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, përkatësisht të Republikës së Jugosllavisë, të Republikës Socialiste të Serbisë, përkatësisht të Republikës së Serbisë, dhe të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, duke përfshirë, por pa u kufizuar në organet e tyre shtetërore, administrative, ushtarake dhe ish-organizatat shoqërore-politike të regjistrohen në emër të Republikës së Kosovës si pronare e këtyre pronave të paluajtshme”, thuhet në vendimin e Qeverisë të datës 1 mars 2017.

Me këtë vendim, Qeveria e obligon Agjencinë Kadastrale të Kosovës që të bëjë regjistrimin e të drejtës pronësore sipas procedurave siç kërkohet në këtë vendim.