Lirohet një pako e dokumenteve të konfiskuara të bin Ladenit nga SHBA

Lirohet një pako e dokumenteve të konfiskuara të bin Ladenit nga SHBA

Administrata e presidentit amerikan, Barack Obama, dje e ka liruar pakon e fundit të dokumenteve të konfiskuara gjatë ndërhyrjes së komandosëve amerikanë në kompleksin sekret të liderit të al-Kaidës, Osama bin Laden, në Pakistan, në vitin 2011, me ç’rast u vra bin Ladeni.

Zyrtarët e inteligjencës amerikane kanë punuar gjatë dy viteve të fundit për t’i desekretizuar informacionet e zëna gjatë ndërhyrjes.

Pakoja finale përbëhet nga 49 dokumente, përfshirë letra për dhe nga bin Ladeni, zëvendësit e tij dhe të familjes së tij, shkruan REL.

Agjencia AP raporton se në këto dokumente përfshihet edhe mospajtimi ndërmjet bin Ladenit dhe një grupi që bashkëpunonte me al-Kaidën në Irak, i cili më vonë u shndërrua në Shtetin Islamik.

Rrjeti CNN ka raportuar se në letrën e 7 janarit të vitit 2011, pesë muaj para se të vritej, bin Ladeni u kishte shkruar djemve të tij, Uthman dhe Muhammad, se “situata e sigurisë” nuk po u lejonte që të bashkoheshin.

Në grupin e dokumenteve ishte edhe letra e vajzës së bin Ladenit, Khadija, e cila u thoshte prindërve se ajo kishte vuajtur nga një numër i problemeve shëndetësore, përfshirë malarjen dhe tifon. /Insajderi.com