Lirohet nga akuza personi i cili tentoi të shkoi në ISIS

Lirohet nga akuza personi i cili tentoi të shkoi në ISIS

Ardian Gjuraj ende nuk e dinte se Gjykata e Apelit e kishte liruar nga akuzat për terrorizëm. 25 vjeçari nga Peja ka dalë nga burgu në ditën kur u dënua nga Gjykata Themelore e Prishtinës, në shkurt të këtij viti. Kjo gjykatë e kishte dënuar me 1 vjet e pesë muaj burgim për tentim shkuarje në ISIS. Lartësia e dënimit ishte e njëjta me kohën që Gjuraj kaloi në paraburgim. Lexoni në Express rrëfimin e kosovarit që u lira nga akuzat për terrorizëm dhe versionin e tij se për udhëtimin që i kushtoi me burg

Ardian Gjuraj deri më dje është konsideruar një terrorist. Përpjekja e tij për t’iu bashkuar luftës në Siri ishte penguar pak pa arritur cakun. Për këtë kishte edhe një vendim të Gjykatës Themelore të Prishtinës, e cila në shkurt të këtij viti e dënoi pejanin më 1 vit e pesë muaj burgim.

Por, krejt këto pretendime u rrëzuan të mërkurën nga Gjykata e Apelit, e cila liroi 25 vjeçarin nga akuzat për veprën penale “bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj”, të mbetur në tentativë.

Kosovari, i cili një pjesë të jetës e ka kaluar në Gjermani ku edhe kishte lindur, sot jeton në vendlindjen e tij në Pejë. Ai ndodhej ende në pritje të vendimit të Apelit, kur në oborrin e shtëpisë së tij ishte duke biseduar me Gazetën Express.

Duke mos e ditur se Gjykata e Apelit veçse ka marrë një vendim për rastin e tij, ai dëshironte të besonte shumë se kjo gjykatë do të nxjerrë aktgjykim që do t’i shkonte në favor atij.

I riu me mjekër deri tek gjoksi, derisa qëndronte i ulur në një karrige plastike, filloi të rrëfej për Gazetën Express versionin e tij për udhëtimin në Turqi që pati dimrin e vitit 2015, e që i kushtoi me telashe të mëdha me drejtësinë në Kosovë.

“Unë kam shku për pushime atje [Turqi]. Ka qenë 12 dhjetor 2015. Jam arrestu në Gaziantep”, thotë Gjuraj, në fillim të bisedës.

Ai, siç tregonte dhe vetë, gjatë udhëtimit ishte arrestuar nga autoritetet turke në Gaziantep, një qytet turk shumë afër Sirisë.

“Kam shku si turist. Një femër e kam pas njoftuar atje. Për një rrugë, dy punë. Ajo ka qenë turke”, vazhdon tutje të tregojë pejani, që jo shumë kohë para kësaj ngjarje ishte kthyer i vetëm nga Gjermania në Kosovë.

Por, siç e shpjegon ai, i ndodhur në kohen e gabuar në vendin e gabuar, Ardian Gjurajt iu deshën disa muaj t’i kalojë në paraburgim në Turqi.

Udhëtimi i tij për të njohur femrën turke që e njoftoi nga Kosova përmes rrjeteve sociale, për të doli të jetë me shumë pasoja ligjore. Pasi, siç thotë, gjatë një kontrolli legjitimimi që iu bë në një rast, ai nuk kishte me vete dokumentet të cilat pohon se i la në banesën ku ishte vendosur për qëndrim në qytetin Gaziantep.

Gjuraj tregon se edhe atje u dyshua se ishte terrorist, por pas dy muajve e gjysmë thotë se u shpall i pafajshëm dhe u dërgua në një kamp refugjatësh.

Atje edhe humbi kontaktin me vajzën që shkoi ta takojë.

“Atje në paraburgim më kanë mbajtë dy muaj e gjysmë në Gaziantep. Mas dy muajve e gjysmë më kanë shpallur të pafajshëm dhe vetëm më kanë akuzu për mos posedim të dokumenteve të identifikimit. Për atë më kanë dërguar në një kamp i refugjatëve. Aty kom nejt dikun tre muaj e gjysmë, afër katër, në Kariasei. Jam mbajt vetëm sa kanë zgjatë procedurat e identifikimit tim”, shpjegon i riu kosovar.

E kur u identifikua, kosovari që autoriteteve turke fillimisht iu prezantua me një emër rus, u deportua për në Kosovë. Ai iu dorëzua autoriteteve kosovare, të cilat e mbajtën në paraburgim 1 vjet e pesë muaj. Gjatë kësaj kohe, Prokuroria Speciale i ngriti edhe aktakuzë dhe Gjykata

Themelore e Prishtinës para pesë muajve e dënoi. Lartësia e dënimit që iu shqiptua ishte e njëjta me atë sa pejani qëndroi në paraburgim.

Më 12 shkurt 2016, kur u shpall aktgjykimi Gjuraj doli në liri. Në pritje që edhe Gjykata e Apelit ta thotë fjalën e saj.

“Unë krejt mendoj se është çështje politike. Krizat politike që janë në Kosovë dhe skandalet tjera që po bahen, për mbulimin e tyre, po përdorët si mashë terrorizmi. Në Kosovë terrorizmi nuk ekziston”. Kështu e përmbledh ai mendimin e tij për betejën që pati me drejtësinë në Kosovë.

“Myslimanët në përgjithësi po persekutohen shumë në Kosovë. Arsyet janë të shumta. Një prej tyre është islamofobia. Shkurt, Evropës nuk i duhet një islam fundamental. Nuk e dojnë këtë islam. Edhe politika nuk ka dobi prej një islami fondamental”, vazhdon tutje ai, duke pranuar se vetë është mbështetës i islamit fondamental, që ai e quan edhe islami real.

“Islami fundamental është Kurani. Libri dhe fjala e Allahut. Edhe sunetet. Me i përkthy në shqip sunet, është traditë, bindje e dikujna. Kshtu që na e njekim bindjen e sunetit të fundit, Muhametit a.s.. Këto dyja janë baza e islamit, që ndërtohet islami. Ky është islami fundamental ose real. Jan e njëjta. Islami autentitk”, shpjegon ai për ideologjinë fetare që e mbështet, duke treguar edhe se është i vetmi në familje që praktikon fenë. Këtë thotë se e ka nisur qysh në kohen kur ka jetuar në Gjermani, dhe ka punuar si ndërtimtar.

Pas daljes nga burgu, 25 vjecari pejan është ende në dilemë nëse jetën do ta vazhdojë në Kosovë, të qëndrojë në shtëpinë e tij që nga jashtë duket moderne, në një nga lagjet më të mëdha të Pejës. Apo, të kthehet në Gjermani ku ka prindërit dhe pjesën tjetër të familjes.

“Boj naj punë të mirë ktu, shpinë e kam ktu”, thotë Ardian Gjuraj gjatë bisedës për Gazetën Express.

“Për atje [Gjermani] s’kam dokumenta njëherë. Afati i vizës më ka kalu. Me vazhdu skam mujt se kam qenë në burg. Nuk e kam të ndaluar me shku. Vepër penale skam në Gjermani e as kërkund në Evropë, përveç këtu”, thotë ai, duke provuar të na bindë se po të dojë mund të kthehet tek familja në Evropë.

E nëse qëndron në Kosovë, ku ai banon vetëm me dy hallat e tij, të cilat po ashtu nga dukja dukeshin moderne, Gjuraj thotë se ka plan të hap një mishtore që vetëm produkte “Hallall”.

“Këtu [në Pejë] nuk ka hala ksi”, thotë ai.

Ardian Gjurajn, Gjykata e Apelit, të mërkurën e liruar nga akuzat për terrorizëm, pasi ka shqyrtuar ankesat e mbrojtjes së të akuzuarit e cila kishte kërkuar lirimin e Gjurajt nga akuzat si dhe ankesën e Prokurorisë Speciale që kërkonte rritjen e dënimit.

Apeli në aktgjykimin e saj vlerëson se gjykata e shkallës së parë, me rastin e shpalljes fajtor të të akuzuarit, është bazuar në supozime dhe se bindjet fetare të të akuzuarit.

“Udhëtimi i tij për në Turqi, arrestimi i tij në mungesë të dokumentacionit në qytetin Gaziantep, apriori nuk e bëjnë të njëjtin fajtor”, thuhet në aktgjykimin e apelit.

“Nëse analizohet me kujdes vetë dispozitivi i aktakuzës shihet se ky dispozitiv nuk i përmbush elementet që duhet të përmban një aktakuzë ashtu siç parashihet në nenin 241 të KPP, pasi që mungon koha dhe vendi i kryerjes së veprës penale por edhe rrethanat të tjera të nevojshme për të përcaktuar me saktësi veprën penale, e që do kishin përmbushur një standard minimal përtej dyshimit të bazuar mirë që dikush të mund të shpallet fajtor”, thuhet në aktgjykimin e Apelit.