Lirohet Azem Syla

Gjyqtarja e procedurës paraprake Jennifer Seal, ka vendosur ta refuzojë kërkesën e prokurorit të EULEX-it për paraburgimin e Azem Sylës dhe ka marrë vendim që ta lirojë atë menjëherë.

Lirohet Azem Syla

Ndaj ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës ka mbetur në fuqi masa që ishte dhënë më herët, që të paraqitet një herë në javë në polici.

Avokati i Sylës, Tom Gashi, ka treguar se nga këto momente Syla është i lirë nga masa e paraburgimit, raporton Gazeta Online Insajderi.

“Është refuzuar kërkesa e prokurorit te Eulexit për caktimin e paraburgimit dhe me vendimin e Gjyqtares së EULEX-it është vërtetuar që Azem Syla nuk ka ndikuar dhe nuk ka tentuar të ndikoj tek dëshmitaret e mbrojtur”, ka treguar Gashi përmes një njoftimi për medie.

Gashi ka thënë se arrestimi i djeshëm i Azem Syla ka qenë “skandaloz, i pa nevojshëm, dhe krejtësisht i pa ligjshëm.”

EULEX-i në mëngjesin e djeshëm ka arrestuar Azem Sylën, i cili ndodhej në arrest shtëpiak për rastin e njohur si “Toka”, me arsyetimin se ka tentuar të ndikojë në njërin nga dëshmitarët e mbrojtur. Syla bashkë me grupin prej 52 personave dyshohen për tjetërsim të pronave në Çagllavicë dhe Llapnasellë. /Insajderi.com