Lirohen gazetarët e arrestuar në Maqedoni

Lirohen gazetarët e arrestuar në Maqedoni

Policia maqedonase sapo ka liruar tre gazetarët e Gazetës Express Artan Haraqinë, Halil Halilin dhe Ilir Ajdinin, të cilët janë arrestuar sot në Shkup vetëm pse ishin duke marrë pamje pranë ndërtesës së Parlamentit të Maqedonisë.

Ekipi i Gazetës Express, respektivisht “Zona Express”, ka qëndruar sot gjatë ditës në Kumanovë dhe Shkup, për të kryer xhirime rreth një dokumentari që ka të bëjë me ngjarjet e vitit të kaluar në Kumanovë.

Arrestimi i tre gazetarëve të Express, sipas Gazetës Express është bërë në orët e pasdites në kryeqytetin maqedonas, pavarësisht se autoritetet e atjeshme ishin të njoftuara për aktivitetin e tyre. Kryeredaktori Leonard Kerquki ka thënë se policia maqedonase nuk e ka lënë t’i afrohet stacionit policor ku janë mbajtur gazetarët.

Gazeta Express falënderon ambasadorin e Kosovës në Shkup Ylber Hysa, deputetin e BDI’së Artan Grubin, Zëvendësministrin e Brendshëm të Maqedonisë Agim Nuhiun, të cilët janë angazhuar personalisht për lirimin e gazetarëve./Insajderi.com