Liria që solli iluminizmi ishte e destinuar të shkatërrohej

Liria që solli iluminizmi ishte e destinuar të shkatërrohej

Si të jesh i djathtë

Është e qartë nga diskutimi im, se konceptet e ligjit natyror dhe të së drejtës natyrore ngrenë çështjen e marrëdhënieve midis ligjit dhe moralit. A u referohet thjesht kufizimeve të vendosura mbi sjelljen tonë nga gjykimi moral, fraza “ligji natyror”? Në qoftë se është kështu, a duhet sistemi ligjor të përpiqet që t’u japë forcë parimeve morale? Apo “ligji natyror” u referohet disa shtrëngesave të tjera, më së shumti jetësimit të idesë së një shoqërie liberale, në të cilën stilet e ndryshme të jetës dhe “konceptet e ndryshme mbi të mirën”, mund të garojnë së bashku paqësisht për vendin e tyre nën diell? Historia e “Kartës së të Drejtave” ku Locke sugjeron konceptin: E drejta ekziston për të mbrojtur dhe zgjeruar hapësirën e zgjedhjes morale, jo ta ngushtojë atë në përputhje me disa axhenda inkuizicionale. Në këtë frymë, John Stuart Mill argumentoi me forcë se cilatdo qofshin parimet tona morale, ne do të jetojmë së bashku në paqe, duke respektuar lirinë e secilit, vetëm në qoftë se ne pranojmë se parimet tona nuk janë, si të tilla, të detyrueshme si ligj. Shteti mund të kufizojë lirinë e një qytetari, por vetëm me qëllim që të mbrojë qytetarët e tjerë nga dëmi që ky mund t’u shkaktojë. Nga kjo pikëpamje, mosaprovimi moral i një veprimi nuk është kurrë i mjaftueshëm për të justifikuar ndalimin e tij me ligj. Argumenti i Mill-it është përdorur me sukses në vitet 1960-të, për të hequr disa nga ndalesat më shtypëse mbi sjelljen seksuale nga ligji anglez. Por askush nuk ka qenë i aftë të përkufizojë “dëmin” me qartësinë që kërkojnë kriteret e Mill-it. Statute të mëpasme të miratuara nga parlamenti britanik, i janë referuar “moralit publik”, si një arsye e mjaftueshme për të kriminalizuar disa veprimtari pavarësisht provave apo mungesës së tyre për dëmin (mbi këtë bazë, parlamenti ka ndalur mbarështimin e kafshëve për gëzofë apo për t’i gjuajtur me qen.) Dhe shumë njerëz nuk do të donin të prisnin për prova dëmi, para se të kriminalizonin pedofilinë. Padyshim që ne jemi në territor të vështirë ku tundimi është të argumentosh se të tjerët nuk kanë të drejtë të imponojnë moralitetin e tyre mbi mua, një qenie e lirë, ndonëse unë kam një të drejtë të përsosur t’i ndaloj ata të bëjnë gjëra që unë mendoj se janë sulmuese. Shkurt, marrëdhënia midis ligjit dhe moralit është e thellë dhe në konflikt. Por kur vjen puna për shumë pohime të drejtash, të bëra në deklaratën e të drejtave të njeriut, moraliteti bën të gjithë punën, pa shtrëngesa nga politika praktike apo nga shumë interesa të kundërta, me të cilat politikanët duhet të merren. Moraliteti në diskutim nuk është moraliteti i vjetër, konservator, i bazuar te vlerat e familjes dhe respektueshmëria sociale por  moraliteti i elitave urbane, në të cilin mosdiskriminimi dhe zgjedhja e lirë e stilit të jetës marrin përparësi mbi format e vjetra të rendit shoqëror. Parabola e Krishtit e Samaritanit të Mirë, imponon një barrë të madhe morale mbi ne të gjithë. Por ta transferosh këtë barrë morale te shteti, të thuash se i takon shtetit të transformojë një detyrë morale, në një të drejtë të marrësit dhe një të drejtë, për më tepër, kundër shtetit dhe për pasojë kundër shoqërisë si të tërë, do të thotë të largohesh shumë nga ideja liberale origjinale e një shteti të themeluar mbi sovranitetin e individit. Do të thotë të lëvizësh drejt idesë së re të një shoqërie të rregulluar nga një moralitet dominues, që mund të ketë pak ose aspak të bëjë me mënyrën se si njerëzit jetojnë.. Gjyqtarët në gjykatat e të drejtave të njeriut, kësisoj, luajnë me një kalkulus abstrakt privilegjesh ligjore, ndërsa kalojnë koston e gjykimit të tyre mbi të tjerët, me të cilat ata nuk kanë lidhje. Dhe askush nuk e di nëse kjo kosto mund të kufizohet. Është ky fakt që po bën të mundur lindjen në Britani të një pakënaqësie për të drejtat e njeriut dhe veçanërisht me vendimet e gjykatave të huaja me detyrë shpikjen dhe imponimin e tyre.

E vërteta mbi multikulturalizmin

Konservatorizmi si filozofi politike, erdhi në jetë me Iluminizmin. Ai nuk do të kishte qenë i mundur pa revolucionin shkencor, tejkalimin e konfliktit fetar, lindjen e shtetit sekular, dhe triumfin e individualizmit liberal. Konservatorët, për pjesën më të madhe pranuan përfitimet që gjendeshin në konceptin e qytetarisë, që ia jepte pushtetin popullit dhe shtetit, si përfaqësuesi i caktuar prej tyre- pjesërisht i zgjedhur. Ata gjithashtu njohën përmbysjen e madhe në çështje të qeverisë që solli kjo gjë. Nga ky moment, ata panë se llogaridhënia nis të jetë nga lart poshtë dhe jo nga poshtë lart. Drejtuesit, ata që sundojnë, duhet të përgjigjen para të sunduarve dhe përgjegjësitë në çdo nivel nuk imponohen më por hamendësohen. Në të njëjtën kohë, konservatorët tingëlluan një paralajmërim kundër Iluminizmit. Për Herder-in, Maistre-in, Burke-un dhe të tjerët, Iluminizmi nuk duhet parë si një thyerje e plotë me të shkuarën. Ai kishte kuptim vetëm përkundruall një sfondi trashëgimie kulturore kohëgjatë. Individualizmi liberal, ofroi një vizion të ri dhe në shumë mënyra inspiruese të gjendjes njerëzore; por ai varej nga tradita dhe institucionet që i bëjnë njerëzit të bindur, bashkë në mënyra që një botëpamje individualistike nuk mund ta bëjë asnjëherë. Iluminizmi propozoi një natyrë njerëzore universale, të udhëhequr nga një ligj moral universal, nga i cili lind shteti përmes miratimit të të qeverisurve. Procesi politik prej këtu do të formësohej nga zgjedhjet e lira të individëve, me qëllim që të mbrojë institucionet që i bëjnë zgjedhjet e lira të mundshme. Ishte gjithçka e bukur, logjike dhe frymëzuese. Por ajo nuk kishte kuptim pa trashëgiminë kulturore të shtetit komb dhe format e jetës sociale, që kishin rrënjë në të. Në këtë kuptim, Herder-i në mënyrë të jashtëzakonshme dalloi Kulturën nga Civilizimi, duke argumentuar se ndërsa e dyta mund të jetë e përbashkët për shumë vende të Europës – dhe në fakt ashtu është në një masë të madhe – e para është e dallueshme nga një vend në tjetrin. Maistre-i, duke reaguar ndaj revolucionit francez dhe idesë idolatrike të kombit, siç e quajti ai atë, si burim të të gjitha ligjeve dhe objekt të çdo adhurimi, e vuri theksin te trashëgimia e krishterë dhe karakteri i formuar nga Zoti i institucioneve parësore sociale (martesa dhe familja) dhe te kanonet mbi të cilat ngrihet rendi politik. Burke-u argumenton se zakoni, tradita dhe “paragjykimi”, janë parakushte të rendit politik, se ato përmbajnë dije që nuk mund të përmblidhet e tëra nga përpjekjet racionale të individëve dhe se pa atë dije, shoqëria do të dizintegrohet në “pluhurin dhe grimcat e individualitetit”. Gjithë këto mendime u dhanë si paralajmërime. Liria e fituar përmes Iluminizmit ishte një gjë e brishtë dhe kërcënuese. Ajo varej nga një bazë kulturore, të cilën ajo vetë nuk mund ta garantonte. Vetëm në qoftë se njerëzit mbahen bashkë nga lidhje më të forta se sa lidhja e zgjedhjes së lirë, zgjedhja e lirë mund të ngrihet në proeminencën që premtoi rendi i ri politik. Dhe këto lidhje më të forta janë groposur thellë në komunitet , çimentuar nga zakonet, ceremonitë, gjuha dhe nevojat fetare. Rendi politik, shkurt, kërkon unitet kulturor, diçka të cilën politika vetë nuk mund ta sigurojë kurrë . Kjo shenjë skeptike, vezulloi përgjatë shekullit të nëntëmbëdhjetë, në përgjigje të frymës në rritje të qeverisë demokratike. Por impakti i saj u zbut gradualisht teksa politika u bë pjesë e kulturës. Në botën anglishtfolëse sidomos, njerëzit filluan të vlerësojnë se kultura nuk është një gjë ataviste dhe e groposur siç thoshte Herder-i, që qëndronte në zakonet e vjetra, komunikimet apo përjetimet intime spirituale dhe gjuhën e popullit. Kultura depërton në pjesën tjetër të jetës sociale, iu përshtatet institucioneve, të cilat në kthim iu përshtaten emancipimit të njerëzve. A nuk ishte revolucioni i vitit 1668 një provë e kësaj, me rirregullimet e vendit të fesë në polis? A nuk ishte revolucioni amerikan një provë e tillë, duke sjellë mendimin politik të Iluminizmit në qendër të jetës sociale dhe duke arritur një marrëveshje befasuese gjithëkombëtare, në lidhje me rolin e shtetit dhe të drejtat e individit përballë tij? Tërë kultura e Amerikës u ndryshua nga kjo, dhe është e ndershme të thuhet, se në rastin amerikan, bota njohu një komb të krijuar nga politika. Kombi i ri e identifikoi veten qartësisht si “vendi i njerëzve të lirë” dhe ai madje këmbënguli në amendamentin e parë të kushtetutës, se liria e besimit është e drejta e parë e qytetarit dhe barrierë absolute ndaj pushtetit të kongresit. Është e njohur se ka patur dhe ka përplasje midis rendit civil të imponuar nga Kushtetuta dhe lidhjeve lokale të komuniteteve amerikane – një nga ato çoi në një luftë civile shkatërrimtare. Megjithatë, me kalimin e kohës, lindi në Amerikë, dhe kudo në botën anglishtfolëse, ajo që mund të quhet “kultura civike”- një sens i procesit politik i përqasshëm me lidhjet kombëtare që lind vetvetishëm dhe mbështet vendin, mënyrën e jetës dhe trashëgiminë e institucioneve dhe ligjeve me të cilat është i lidhur fati i qytetarit. Kjo mendoj unë është e vërteta mbi multikulturalizmin. Në sajë të kulturës civike që është rritur në perëndimin post iluminizmë, anëtarësia sociale  është çliruar nga afiliacioni fetar, nga lidhjet farefisnore, etnike apo raciale dhe nga “ritet e kalimit” me anë të  të cilit komunitetet iu drejtohen shpirtrave të anëtarëve duke i ruajtur ata nga ndotja  nga zakonet dhe fiset e tjera.  Kjo është arsyeja pse është kaq e thjeshtë  për të emigruar në vendet e perëndimikt-asgjë më shumë nuk kërkohet  ndaj emigrantit veç adoptimit të kulturës civike dhe hamendësimit të detyrave që ajo nënkupton. Kjo nuk do të thotë se detyrimi politik reduktohet në një kontratë edhe në qoftë se ka njerëz që e trajtojnë atë në këtë mënyrë. Ajo është ende e rrënjosur në anëtarësi para politike të përkufizuar në të cilën territori, historia, fqinjësia dhe zakonet luajnë një rol vendimtar. Por kjo anëtarësi parapolitike  është provuar e depërtushme për pikëpamjen individualiste liberale të qytetarit. Detyrimet tona ndaj të tjerëve, ndaj vendit dhe shtetit  janë rishikuar në një drejtim që ka hapur rrugën e pranimit për njerëz nga jashtë komunitetit- duke bërë të mundur që ata gjithashtu të jetojnë sipas idealit liberal të qytetarit. Nuk ka nevojë të thuhet se shumë emigrantë erdhën në vendet e perëndimit- edhe sidomos në vendet anglisht folëse- në kërkim të avantazheve që juridiksioni liberal bart dhe pa kuptuar apo pranuar kostot. Dhe shumë prej tyre u bënë të pakënaqur me  një formë besnikërie që është e vështirë të kuptohet e shkëputur dhe pa ngrohtësinë e fesë. Por kjo është një gjë tjetër, të cilës unë do t’i rikthehem. Vizioni iluminist i natyrës njerëzore u mbështet mbi idenë se qeniet njerëzore kudo gëzojnë të njëjtin pushtet arsyetues  dhe se ky pushtet  çon vetvetiu  drejt moraliteti të përbashkët dhe një repertory pasionesh të përbashkëta. Veprat e artit  nga Iluminizmi europian morën si subjekt të tyrin  kultura të tjera, vende të tjera dhe klima të tjera në mënyrë që shprehimisht të profilizonin humanitetin e përbashkët  të popujve të ndryshëm të botës. Shembuj si Lettres persane të Montesquieu-së Nathan der Ëise të Lessingut, Die Entfuhrung aus dem Serail e Moxartit, Ëestostlicher Divan i Gëtes dhe mijëra krijime të tjera më të vogla na sjellin në mend kuriozitetin e madh që u zhvillua  në shoqëritë europiane dhe amerikane ndaj përvojave të ndryshme  njerëzore. Dhe në sajë të punës së antropologëve europianë në shekullin e nëntëmbëdhjetë ne njohim kaq shumë mbi mënyrat se si qeniet njerëzore janë para se teknologjia, shkenca dhe jeta moderne t’i prekë ato. Efekti afatgjatë i kësaj ka qenë t’i hapë shoqëritë perëndimore ndaj imigracionit dhe të përcjellë një ideal të qytetarisë që, është shpresuar, do t’u mundësojë njerëzve  me origjina dhe trashëgimi të ndryshme  të jetojnë së bashku, duke pranuar se burimi real I detyrimeve të tyre  qëndron jo në atë që i ndan ato –raca dhe feja veçanërisht- por në atë që i bashkon ato – territori, qeveria e mirë, rutina e përditshme fqinjësisë, institucionet e shoqërisë civile dhe mënyrën se si punon ligji. Në disa raste ajo funksionon në disa raste jo, . Dhe kjo është ajo që ne presim. Dhe nëse ajo do të funksionojë kjo do të ndodhë si pasojë e përpjekjes së të dyja anëve për të integruar arritjet e reja në mënyrat e jetës që janë aty përqark në mënyrë që kultura e përbashkët  e qytetarisë adaptohet për t’i përfshirë ato.