Liqeni i Treskës funksional nga vera e ardhshme

Liqeni i Treskës funksional nga vera e ardhshme

Liqeni i Treskës nga vera e vitit të ardhshëm me gjasë do të jetë funksional dhe e hapur për vizitorë, pasi në këtë drejtim do të punojnë intenzivisht autoritetet komunale. Kështu për gazetën KOHA është shprehur numri një i Sarajit, Blerim Bexheti, i cili ka informuar se tashmë është gati Plani urbanistik për këtë pjesë të Sarajit.

“Ne do të punojmë intenzivisht që është obligim i komunës. Për çdo ditë jemi të gatshëm dhe punojmë. Duke pas parasysh se edhe gjatë përbërjes dhe mandatit të kaluar është punuar në këtë drejtim, jam optimist së vitin e ardhshëm, Liqeni i Treskës do të jetë funksional”, deklaron Bexheti. Ndryshe, që në vitin 2015 ka përfunduar hartimi i planit detaj urbanistik që ishte një nga obligimet kryesore që Liqeni i Treskës t’i jepet në pronësi Komunës së Sarajit.

”Me planin urbanistik janë paraparë shumë risi, ndërsa planifikohet të ndërtohen hotele me kapacitete të mëdha, spa qendra, aqua park, terrene sportive edhe atë për futboll, volejboll, tenis… Liqeni i Treskës është ndërtuar në vitin 1978. Kompleksi përfshin 35 hektarë, prej të cilëve një pjesë janë sipërfaqe e gjelbër, ndërsa tjetra është liqen. Qendra punonte aktivisht deri në vitin 1999. Në vitin 2006, me vendim të Qeverisë, qendra rekreative Treska iu dha në pronësi Qytetit të Shkupit, institucion ky që nuk investoi asnjë denarë për të rinkonstruar këtë liqen artificial.”
”Më pas, në fund të vitit 2013, po me vendim të Qeverisë, kjo qendër rekreative iu rikthye në pronësi Komunës së Sarajit.

”Liqeni i Treskës gjendet vetëm 12 kilometra larg Shkupit, ndërsa kap sipërfaqe prej 136.000 metra katrorë. Sa u përket prioriteteve tjera, Komuna e Sarajit pritet të punojë në hartimin e gjitha projekteve të premtuara. “Normalisht është Poliklinika, çerdhja në Kondovë, ujësjellësi në disa vendbanime që janë nevojë e patjetërsueshme, sigurimi i projektit për një Shtëpi të Kulturës, punë tjera që kanë të bëjnë me arsimin, sportin dhe shumë sfera tjera, gjithçka që kishim në Program, do të punojmë me përkushtimin më të madh që t’i realizojmë”, tha Bexheti.

Kryetari i ri i Sarajit tregon gjithashtu se çerdhja e ndërtuar vite më parë ende nuk ka filluar të punojë në dy ndërrime ashtu siç ka sjell vendim Ministria e Punës dhe Politikës Sociale. “Ende nuk kanë filluar të punojë në dy ndërrime, ditëve në vijim do të kemi një takim me autoritetet qendrore, ku do të duhet një bashkërendim i aktiviteteve nga ana e ministrisë dhe komunës që të fillojmë të kemi kapacitete dhe të punojmë me dy ndërrime në çerdhe”, u shpreh Bexheti.