Linda Gusia nesër me masterklasë mbi aktivizimin e harruar të grave në Kosovë

Linda Gusia nesër me masterklasë mbi aktivizimin e harruar të grave në Kosovë

Nesër, me datë 16 mars, në kryeqytet mbahet masterklasë e udhëhequr nga Dr.Linda Gusia.

Kjo ngjarje organizohet nga forumZFD dhe Programi për Studime dhe Hulumtime Gjinore në Universitetin e Prishtinës, dhe mbështetet nga Ministria Federale për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik e qeverisë Gjermane.

Gusia do të ligjërojë mbi temën “Aktivizmi i harruar i grave në Kosovë”.

Kjo ngjarje organizohet për të shënuar 19 vjetorin e protestës së grave “Bukë për Drenicën” të organizuar më 16 mars, 1998, dhe është pjesë e një serie ngjarjesh që organizohen brenda kornizës së projektit “Shikimi nga brenda dhe shikimi nga jashtë”.

Gjate viteve te 1990’, konteksti, politikat dhe ideologjia e asaj kohe hapi hapësira të reja të rezistencës si dhe mobilizim të grave në lëvizje paqësore.

Angazhimi i grave në proceset politike dhe vizibiliteti i tyre në sferën publike përgjatë këtyre viteve ishte më masiv se ndonjëherë tjetër.

Në frymën e protestave paqësore, gratë aktiviste ishin të parat që reaguan ndaj përshkallëzimit të dhunës që mori hov në fillim të viteve të 1998.

Pas masakrës në Prekaz (5-7 mars 1998) dhe rrethimit ushtarak të fshatrave në Drenicë, gratë u organizuan në marshin e gjatë, që synonte thyerjen e izolimit, dërgimin e ndihmave dhe reagim nga bashkësia ndërkombëtare.

Me 16 mars te vitit 1998, rreth dymbëdhjetë mijë gra marshuan me bukë në dorë. Kjo përvojë dhe angazhimi i grave në Kosovë gjatë viteve 1990’ në rezistencën paqësore vazhdojnë të mbeten të anashkaluara dhe të padukshme në histori, politika dhe praktika të kujtesës në Kosovë.