Limak nuk i ka kryer punët si duhet në Aeroport, vihet në pikëpyetje e tërë kontrata

Limak nuk i ka kryer punët si duhet në Aeroport, vihet në pikëpyetje e tërë kontrata

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ka ardhur duke rritur numrin e udhëtarëve nga viti në vit. Kjo ishte një ndërmarrje profitabile edhe në kohën sa ishte ndërmarrje publike. Kalimi te investitori privat përmes partneritetit publiko-privat ishte menduar se do të sjellë investime të reja. Por pas kaq vitesh, del se Aeroporti nuk përbën storie suksesi ashtu siç mundohet investitori privat ta paraqesë.

Më e keqja është se agjencitë shtetërore të cilat janë përgjegjëse për menaxhimin e kontratës po fshehin të metat në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Siguria e udhëtarëve në Aeroportin “Adem Jashari” po cenohet për çështje banale sikurse është rasti i mungesës së gjeneratorëve, pastaj moskryerja e punëve rreth zgjerimit të pistës, apo rasti më eklatant i rregullimit të pajisjeve të ndjeshme të radarit te automekanikët e palicencuar në një qytezë të Kosovës.

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm (ZAP) ka kryer vitin që shkoi auditimin Nr. Dok. 23.6.11-2013/14-08  për Implementimin e Rekomandimeve për Marrëveshjen e Partneritetit Publiko-Privat.

ZAP kryen auditime të rregullsisë dhe të performancës.  Auditimet e performancës kryhen për të vlerësuar nëse programet qeveritare menaxhohen në mënyrë të duhur, kosto-efektive dhe efikase dhe nëse sistemet për matjen dhe raportimin e efikasitetit të tyre janë funksionale.

Auditimet e njëpasnjëshme të Auditorit nxjerrin se shumë nga punët e parapara me kontratë ose nuk kanë filluar ose kanë mbetur në gjysmë, po ashtu edhe punët e kryera thuhet se kanë mangësi. Madje, Auditori tërheq vërejtje se mund të rrezikohet gjithë kontrata.

Projekti i ANP-së është ndër të parët dhe kontrata/marrëveshja më e madhe deri me tani përmes formës PPP në vendin tonë. Menaxhimi i duhur i këtij projekti mund të shërbejë si shembull për të ardhmen.

Gjatë realizimit të këtij projekti Qeveria dhe KPPP kanë hasur në disa pengesa të cilat nuk u arrit të tejkalohen në mënyrën e duhur. Si rasti i pronës së dhënë për PP (prania KFOR-it në pronën e ANP-së), mbikëqyrja afatgjate e projektit dhe mos planifikimi i zgjerimit të kapaciteteve të ANP-së në të gjitha drejtimet (si zgjatja e pistës).

Ky raport i auditimit ka të bëjë me adresimin e rekomandimeve të dhëna nga ZAP, në raportin e auditimit të vitit 2014 për Marrëveshjen PPP të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës-“Adem Jashari”. Aty është konkluduar se: Terminali i ri ka filluar operimin me kohë, në përputhje më Marrëveshjen PPP dhe është certifikuar nga Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës.

“Disa mangësi janë paraqitur në raport, të cilat nëse nuk eliminohen mund të sjellin probleme serioze gjatë implementimit të Marrëveshjes PPP në vitet ardhshme. Për këto çështje i kemi dhënë 8 rekomandime kryesore Komitetit për PPP”, thuhet në raport.

Raporti cek se progres është arritur në aspektin e rregulloreve dhe në legalizimin e objektit të terminalit të ri. “Terminali është funksional, i pajisur me licencë operimi dhe i legalizuar nga Ministria përkatëse”.

Por, po ashtu raporti cek se “ngecje ka në përfundimin e punëve të mbetura, të cilat ndërlidhen me praninë e KFOR-it brenda pronës se ANP-AJ dhe mungon koordinimi me KFOR-in lidhur me realizimin e këtyre punëve”.

Auditori konstaton se punët e mbetura nuk janë përfunduar ende dhe nuk është përcaktuar kur dhe si do të kryhen. “Prania e KFOR-it në pronën e ANP-AJ nuk është e koordinuar si duhet dhe nuk ka mirëkuptim për realizimin e plotë të punëve/planit të ANP-AJ”.

Në raportin paraprak, Auditori kishte dhënë rekomandime rreth pronës së Aeroportit, problem që ka mbetur i pa adresuar.

Auditori  konstaton se Qeveria nuk ka arritur të përmbush zotimin për dhënien e plotë të pronës në shfrytëzim për Partnerin Privat, për shkak të çështjes me KFOR-in.

“Çështja e pronës sjellë rreziqe të ndryshme si: mos zbatimi i plotë i planit apo ndërprerja e kontratës e cila mund të ketë kosto të lartë për vendin. Kjo mund të krijojë përshtypje për Qeverinë si partner jo të sigurt si dhe nxjerrë në pah relacionet e paqarta në mes të Qeverisë dhe KFOR-it. Ky rekomandim ka mbetur i paadresuar”, thuhet në raport.

Në raport theksohet se punët e pa kryera kanë ndikuar që ANP-“Adem Jashari” nuk e ka arritur nivelin e pritur të kapacitetit.

“Ky rekomandim ende nuk ka gjetur adresim të plotë. Adresimi i rekomandimit është bërë edhe më i paqartë pas kërkesës nga kryesuesi i KPPP së kaluar, që certifikatat e nënshkruara të pranimit të punëve të mos bëhen të plotfuqishme deri në plotësimin e kushteve sipas bazës ligjore dhe përfundimin e punëve të mbetura”, thuhet në raport.

Punët e papërfunduara lidhen me pikën 4, aneksi 13 i Marrëveshjes PPP, që përfshinë: punët në zonën e sigurisë në fund të Pistës (RESA), Krahët e rrugës për akomodimin e aeroplanëve, Platforma për shkrirjen e akullit dhe Zona e improvizuar e trajnimit të zjarrfikësve. Në pamundësi të përfundimit të këtyre punëve, KPPP me PP janë në mirëkuptim dhe në vitin 2014 janë pajtuar që disa punë të zhvendosen ne pjesën tjetër të ANP-AJ. Por as kjo Marrëveshje nuk është zhvilluar. Edhe në vitin 2015 KPPP ka nxjerrë dy Aneks Marrëveshje7 me PP, ku parashihet shtyrja e afatit kohor për punët e pakryera me arsyetimin e njëjtë, afërsia e zonës se KFOR-it, si dhe për shkak se është duke u planifikuar zgjatja e pistës aktuale. Megjithatë Aneks Marrëveshjet nuk e kanë specifikuar qartë kur dhe si do të përfundojnë punët e mbetura, në mënyrë që Terminali të arrijë kapacitetet dhe sigurinë e kërkuar sipas Marrëveshjes PPP.

Auditori konstaton se faza ndërtimore e Projektit të ANP “Adem Jashari” nuk është finalizuar plotësisht siç është paraparë me Marrëveshje sepse ende nuk janë përfunduar disa pika të planit. Palët janë pajtuar për gjetjen e mënyrës për ndërtimin e këtyre 4 pikave por ende nuk ka siguri se kur do të kryhen dhe kush do të mbikëqyrë kualitetin e tyre. Andaj ekziston rreziku që punët e mbetura të mos kryhen në cilësinë e pritur. Po ashtu shërbimet e IP-së nuk janë pranuar në mënyrë formale.

“Ndërsa lidhur me përfundimin dhe hartimin e një raporti për pranimin e punëve të IP nuk është bërë ndonjë veprim. IP është kompani ndërkombëtare, pagesat i ka pranuar dhe mund të jetë kthyer në vendin e saj. Duhet të kihet parasysh të mos përsëriten rastet e tilla të ngjashme në projektet tjera. Andaj nevojiten veprime shtesë të AK-KPPP dhe PP për të qartësuar aktivitetet në kuadër të dy Aneks Marrëveshjeve lidhur me mënyrën e përfundimit të punëve të mbetura”, thuhet ndër të tjera në raport. /Gazeta Alo