Limaj: U persekutova për 7 vite pasi individë të caktuar nuk kishin argumente politike

Limaj: U persekutova për 7 vite pasi individë të caktuar nuk kishin argumente politike

Lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj ka dalë me një konferencë për medie, pas shpalljes së vendimit të Gjykatës Themelore, për të liruar nga aktakuza në “Rastin MTPT”.

Limaj ka thënë se ai u persekutua për 3 mijë ditë për shkak të disa individëve që sipas tij nuk patën argumente politike por shfrytëzuan rrugë të tjera.

“Historikisht shqiptarët janë mësuar të marrin lajme të mira në nëntor. Sonte pas persekutimit të pashembullt rreth 3000 ditë i orkestruar nga individë të cilët në pamundësi që të ballafaqohen me argumentet politike me dije për t’i shërbyer vendit, dhe individë që janë mësuar të bëjnë karriera në kurriz të njerëzve të pashembullt ne u persekutuam për 7 vite”

Limaj tha se askush nuk mund të gjej asnjë cent të keqpërdorur nga ai apo familja e tij

“Në fund ja ku jemi sonte dhe me kënaqësi dal para qytetarëve të rikujtoj për të rikonfirmuar atë që e kam thënë që nga dita e parë me 28 prill 2010 se unë me familje bashkëpunëtorët e mi me krejt qenien  i kemi shërbyer me dashuri të madhe pa kompromis vendit tonë dhe as sot as kurrë askush nuk do të mund të gjej asnjë cent të keqpërdorur nga unë familja ime dhe bashkëpunëtorët”, tha Limaj.

Limaj tha se nuk është dorëzuar asnjëherë duke i shërbyer me devotshmëri ç’do qytetari të Kosovës.

“Unë nuk u dorëzova dhe qëndrova me kokë lartë duke qenë i bindur se me devotshmëri i kam shërbyer çdo qytetari të Republikës. Duke besuar në Zot dhe drejtësi nga ai moment ia parashtrova vetës një detyrë, që është detyra ime para prindërve të mi që s’janë gjallë para gruas sime që edhe ajo nuk është gjallë u munduan të më njollosin edhe para tyre .Unë thash që do të qëndroj fort për të dëshmuar jo para atyre që ma orkestruan këtë proces por para qytetarëve dhe familjes sime se me devotshmëri dhe pastërti i kam shërbyer këtij vendi”

Ish-ministri i Transportit dhe Telekomunikacionit Fatmir Limaj, është shpallur i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës për rastin e njohur si MTPT. Të pafajshëm janë shpallur edhe Nexhat Krasniqi, Endrit Shala, Shpëtim Telaku dhe Florim Zuka.