Limaj: Rinia po e përkrah projektin socialdemokrat dhe jo çantat me gurë

Limaj: Rinia po e përkrah projektin socialdemokrat dhe jo çantat me gurë

Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, u ka kërkuar të rinjve që te jenë krenar për shtetin ashtu siç janë krenar për kombin. Limaj ka thënë se është pasuri e madhe kur bashkohen gjenerata e lirisë se Kosovës me gjeneratën e ndërtimit të shtetit.

“Me entuziazmin tuaj dhe me përvojën tonë nuk ka rrugë tjetër dhe s’ka shanse mos me pas sukses. Është shumë më rëndësi me ditë që lirinë qe e kemi sot nuk na ka sjellë askush, por copëza, copëza anekënd Kosovës kanë dhënë kontribut për të pasur liri. Nuk ia keni borxh lirinë askujt, sepse prindërit e juaj kanë dhënë kontribut. Ju e keni borxh me forcu shtetin”, ka thënë Limaj në një tubim të organizuar nga rinia e Nismës për Kosovën.

Tutje, Limaj ka thënë se politika është edukatë. Nisma, sipas tij, është  një familje politike dhe çdo prind dëshiron të dijë se ku është fëmija i tij. Se çka bënë në atë organizatë.

Limaj i ka porositur të rinjtë të mos zhgënjehen pavarësisht rezultatit që marrin. Ai ka thënë se angazhimi politik nuk është sezonal, por maratonik.

“ Mobilizohuni. E ardhja është e jona për këtë ju e siguroj. Politika nuk është më rrënuar njerz. Vendi ka nevoië për këtë fryme. Ju ftojmë me u angazhu. Socialdemokratet do të jenë shumicë në Kosovë pas tre, katër viteve”, ka shtuar Limaj.

E, kryetari i të rinjve të Nismës, Albert Maxhuni ka thënë se Nisma për Kosovën është parti e vetmja e cila u jep hapësire të rinjve. Kjo, sipas tij, dëshmohet në listat e kandidatë për këshilltar komunal. Nisma thotë se i ka dyert e hapura për të gjithë ata të cilët duan të kontribuojnë në ndërtimin e shtetit.

“Nisma e rinisë për Kosovën, gjithmonë do të angazhohet për mundësi të reja për një të ardhme të mirë për të rinjtë e Kosovës. Andaj ftoj të rinjtë në Kosovë t’i bashkohen projektit tonë”, ka thënë Maxhuni.