Limaj paralajmëron ndaljen e privatizimit të tokave shtetërore

Limaj paralajmëron ndaljen e privatizimit të tokave shtetërore

Zëvendëskryeministri i Kosovës Fatmir Limaj ka paralajmëruar se do ta ndalojë privatizimin e tokave shtetërore.

“Bashkë me ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, z. Skënder Reçica, vizituam sot Odën Ekonomike të Kosovës. Si Qeveri e Kosovës, jemi të përkushtuar që ta mbështesim Odën Ekonomike.

Në këtë takim, në të cilin ishin të pranishëm edhe përfaqësues të bizneseve, ndër të tjera deklarova se Qeveria do të jetë afër tyre aq sa e lejon korniza ligjore.

Prioritet yni është stimulimi i prodhuesve vendorë, pasi në këtë formë do të hapeshin vende të reja pune”, thotë Limaj.

Ai thekson se Qeveria do të procedojë në Kuvend vetëm ligje që i përshtaten interesave të vendit.

“Qeveria do të ndërmarrë masa edhe për ndaljen e privatizimit të tokave shtetërore, në mënyre që shteti t’u ofrojë investitorëve të huaj dhe vendorë hapësirë apo lokacionin ku ata janë të gatshëm për të investuar”.

“Qeveria dhe bizneset duhet të ndërtojmë një partneritet të besimit që nënkupton ndarjen e detyrave dhe përgjegjësive për ta çuar përpara vendin. Ka ardhur koha që biznesmenët, jo vetëm që duhet ta ndjejnë veten drejtues të kompanive, por kanë edhe përgjegjësi ndaj vendit dhe janë burrështetas që ta çojnë përpara vendin”, ka shtuar Limaj.