Limaj mohon fajësinë: Prokuroria po më përndjek qëllimisht

Lideri i NISMA-s, Fatmir Limaj, ndaj të cilit Prokuroria e Kosovës ka ngritur një aktakuzë për vrasjen e dy civilëve shqiptarë gjatë luftës së fundit në Kosovë, ka reaguar përmes një deklarate për medie. Ai ka thënë se prokuroria po e keqpërdor rastin për ta "përndjekur" atë.

Limaj mohon fajësinë: Prokuroria po më përndjek qëllimisht

Të premten Prokuroria Speciale e ka akuzuar Limajn për përgjegjësi në vrasjen e dy civilëve shqiptarë. Ngarkohen me përgjegjësi penale dhe rol në vrasjen e Ramiz Hoxhës nga Bellanica dhe Selman Binishit nga Banja më 2 tetor 1998.

Limaj thotë se Prokuroria Speciale nuk është në dijeni se kush i ka kryer vrasjet, dhe me këtë rast po e bën përgjegjës ish-komandantin e UÇK-së, meqenëse vrasjet, siç pretendon prokuroria, kishin ndodhur nëë territorin e brigadës 121 të UÇK-së – në të cilin ai ishte komandant.

“Edhe pse as vet prokuroria nuk e din kush janë vrasësit e atyre civilëve, ajo më bën mua përgjegjës pse nuk e paskam parandaluar apo ndaluar dhe pastaj hetuar vrasjen e dy civilëve për të cilët as në aktakuzë nuk dihet se kush janë vrasësit e atyre civilëve”, thotë Limaj.

Ai thotë se e ka pasur të pamuindur të parandalojë vrasjet e përmendura nga prokuroria, raporton Insajderi.

“Shtrohet pyetja, si mund të bëhesh përgjegjës pse nuk kam parandaluar diçka për të cilën fare nuk kam qenë në dijeni se mund të ndodhë. Gjithashtu në aktakuzë thuhet se nuk është bërë asgjë për t’u hetuar rasti”, tregon ish-ministri i Telekomunikacionit.

“Nga shkresat e lëndës del se në atë kohë përgjegjësinë për këto vrasje përmes një komunikate e ka marrë përsipër Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. Aty ka përfunduar kompetenca ime sepse unë në atë kohë nuk kam qenë anëtarë i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së”, tha Limaj.

I pari i NISMA-s tha se këto raste është hapur me qëllim përndjekjen e mëtutjeshme të tij, dhe jo zbardhjen e rasteve.

“Këtu është duke u keqpërdorur ky rast në mënyrë që të vazhdojë përndjekja kundër meje.
Kjo besoj tanimë për të gjithë është e qartë. Familjarët e viktimave me të drejtë presin ndriçimin e rastit dhe zbulimin e fajtorëve dhe jo tragjedia e tyre familjare të shfrytëzohet për qëllime tjera”, thotë Limaj.

Kjo është aktakuza e tretë që ngritet kundër tij.

Në dy procese të zhvilluara nga prokurorë e gjyqtarë ndërkombëtarë është shpallur i pafajshëm. Njëherë në Hagë dhe dy herë në Prishtinë.

Në procesin e tretë penal pritet të përballet me prokuror e gjyqtarë vendës. Atë, po e akuzon prokurorja, Drita Hajdari.

Prokuroria ka njoftuar nëpërmjet një komunikate se Limajn po e akuzon për krime lufte kundër popullatës civile.

“Rasti ka të bëj me vrasjen e dy civilëve: Ramiz Hoxha nga fshati Bellanicë dhe Selman Binishi nga fshati Banjë, komuna e Malishevës, të cilët me datë 02 tetor 1998, janë marrë në afërsi të xhamisë së fshatit Bellanicë dhe janë ekzekutuar në hyrje të fshatit Kravasari”, ka njoftuar Prokuroria.

Aktakuza e ngarkon të pandehurin Fatmir Limaj se, si pjesëtar i UCK-ës dhe komandant i Brigadës 121, nuk ka ndërmarr masa të arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave të tij për ta parandaluar apo për të ndalur vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit. /Insajderi.com

Aktakuzë kundër Fatmir Limajt për vrasjen e dy civilëve shqiptarë