Limaj jeton në banesën e blerë nga prindërit, nuk ka asnjë euro në bankë

Limaj jeton në banesën e blerë nga prindërit, nuk ka asnjë euro në bankë

Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në zgjedhjet e fundit i është bashkuar koalicionit me PDK-në e AAK-në, kurse me formimin e qeverisë ka zënë pozitën e zëvendëskryeministrit. Si datë e emërimit merret 11 shtator 2017, kurse më 29 mars 2018 ka bërë edhe deklarimin e pasurisë ashtu si kërkohet me ligj.

Përveç detyrës si zëvendëskryeministër, Limaj ka deklaruar se ushtron edhe detyrën e kryetarit të Nismës.

Si pasuri të paluajtshme, Limaj ka deklaruar një banesë banimi me sipërfaqe 68 metra katrorë që është pasuri familjare e përfituar në vitin 1981 e që ka vlerë 70 mijë euro, derisa pronësia mbetet e përbashkët. Po ashtu, ai ka deklaruar një shtëpi banimi me sipërfaqe 300 metra katrorë, po ashtu pasuri familjare me vlerë 250 mijë euro si dhe tokë dhe truall me sipërfaqe mbi 13 hektarë pasuri familjare në vlerë 500 mijë euro. Të gjitha këto prona janë evidentuar si pronë e përbashkët.

Limaj nuk ka deklaruar ndonjë pasuri të luajtshme dhe po ashtu ka deklaruar se nuk posedon aksione në shoqëri komerciale. Pos kësaj, Limaj nuk ka deklaruar fare para të gatshme të mbajtura në institucionet financiare.

Megjithatë, ai ka deklaruar detyrimet ndaj bankës për rregullimin e shtëpisë në kohëzgjatje prej 10 vjet me vlerë 40 mijë euro, që figurojnë në emër të tij.

Ndryshe, Limaj ka deklaruar si të hyra vjetore pagën bazë mujore në Kuvendin e Kosovës 1356 euro si dhe pagën mujore të bashkëshortes në Sigal 450 euro.