Limaj akuzon presidentin Thaçi për mashtrim me Ushtrinë e Kosovës

Limaj akuzon presidentin Thaçi për mashtrim me Ushtrinë e Kosovës

Lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka akuzuar presidentin e Kosovës se ka mashtruar me propozimin e projektligjit për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri.

Limaj ka shkruar në rrjetin social Facebook se Thaçi e ka nisur iniciativën për krijimin e ushtrisë “me qëllim rindërtimin e imazhit të rrënuar të tij.”

Limaj ka thënë se mënyra si planifikohet tani që të krijohet ushtria ka pasur mundësi përgjatë pesë viteve të krijohet, raporton Insajderi.

“Përse nuk e ka bërë këtë ish-kryeministri kur ka qenë në detyrën e tij, asgjë nuk ka ndryshuar nga koha kur ky ka qenë kryeminister, edhe tani të njëjtat pengesa janë. Atëherë pse gjithë këtë zhurmë dhe propagandë, e lloj lloj argumente që sot po i bën ish-kryeministri, pse nuk i bënte këto kur e kishte për detyrë?”, ka shkruar Limaj.

“Kjo ka vetëm një përgjigje, ky njeri tashmë po e sheh se ka shkuar shumë larg me gabimet dhe dëmet që ia ka sjell Kosovës, si p.sh: Demarkacioni, Gjykata Speciale, Zajednica dhe tashmë e ka parë se këto dëme nuk mund ti fshehë më dhe si rezultat i këtyre ka humbur dhe po e humb me shpejtësi mbështetjën në popull”, është shprehur Limaj.

Sipas tij, Presidenti Thaçi po e përdor themelimin e ushtrisë për të përmirësuar gabimet e tij që sic thotë kreu i Nismës, kanë dëmtuar mjaft shumë Kosovën.

“Njerëzit po ia kthejnë shpinën, prandaj iniciativa për Ushtrinë është ide e kompanisë së P.R-it të tij, që sa do pak të tentojnë me ia përmirësu imazhin që ju ka rrënuar. Thënë thjesht, me një fjalë, daljet e tij publike gjithkund dhe gjithkah e kanë veç një qëllim: MASHTRIMIN”, ka shkruar i pari i NISMA-s. /Insajderi.com