Liderishipi i njëjtë i Serbisë po ndërron strategjinë ndaj Kosovës

Liderishipi i njëjtë i Serbisë po ndërron strategjinë ndaj Kosovës

Politologu Belul Beqaj ka bërë me dije se propozimet e fundit të zyrtarëve të Serbisë për zgjidhjen e konfliktit shekullor me Kosovën nuk janë të rastësishme.

Ai ka thënë se kjo tregon se Serbia ka ndryshuar strategji në raport me Kosovën.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Beqaj ka deklaruar se, pasi që Serbia dështoi ta mbajë në Kushtetutën e saj Kosovën, tani po përpiqet ta shtrijë ndikimin e vet në mënyra të tjera.

“Pasi nuk ndodhi ajo çfarë dëshiroi lidershipi politik serb, pak a shumë lidershipi i njëjtë po e ndërron strategjinë. Nga ‘orteku’ i paraqitjeve publike shihet se synimi i tyre tashti është arritja e asaj çfarë është e mundshme dhe reale”, ka thënë Beqaj.

“E mundshme dhe reale është që Serbia ta heqë ‘Kosovën dhe Metohinë’ nga preambula e Kushtetutës së Serbisë, pra ta njohë në mënyrë implicite Kosovën de facto. Njëkohësisht nëpërmjet Listës Serbe dhe asociacionit të komunave me shumicë serbe, ta kthejë ndikimin e vet funksional në Kosovë”, ka shtuar Beqaj.

Ai ka vlerësuar se në strategjinë e re Serbia llogarit edhe në lidershipin e Kosovës.

“Jo rastësisht zëvendëskryeministri Laiq pretendon që Serbia, nga 400 milionë euro sa përfiton sot, në të ardhmen me Kosovën të ketë 800 milionë euro. Tekefundit, zyrtarët e Serbisë llogarisin se lidershipi i shantazhuar i Kosovës do ta pranojë eksteritorialietin e shenjtoreve ortodokse sikurse dhe pjesa veriore e Kosovës, që është edhe de facto nën kontrollin e Serbisë, të mbetet edhe de jure në Serbi”, ka thënë Beqaj.

Njohësi i rrethanave politike ka treguar se “orteku” i propozimeve të zyrtarëve të lartë serbë për zgjidhjen e problemit të Kosovës po ndodh në situatë të degradimit maksimal të shtetit dhe pushtetit të Kosovës.

“Së treti, kjo po ndodh në kohën e rënies serioze të rejtingut të BE-së sa për shkak të mungesës së unitetit në politikën e jashtme, aq edhe për shkak të dështimeve serioze në politikën e brendshme. Derisa është në rritje interesimi diskutabil për këtë regjion nga Rusia dhe Turqia”, ka thënë Beqaj.