Liderët kosovarë u kthyen kot nga “frika” – Serbia nuk kishte mundësi t’i ndalonte

Liderët kosovarë u kthyen kot nga “frika” – Serbia nuk kishte mundësi t’i ndalonte

Ekipi i Prishtinës ia ka dërguar të dhëna të rreme kontrollit të fluturimit me rastin e shkuarjes në raundin e ri të dialogut në Bruksel, për ta shmangur fluturimin mbi Republika Serpska. Në orën 19:48 kanë lajmëruar se një udhëtar nuk ndihet mirë, pretendon gazeta serbe “Novosti”, duke u “thirrur” në informatat e shërbimit serb të kontrollit SMATSA.

Delegacioni i Kosovës, i cili të martën udhëtonte me aeroplan në Bruksel, “e ka humbur rrugën në hapësirën ajrore” prandaj kanë trilluar se një udhëtar ishte sëmurë. Kështu kontrolli i fluturimeve i Serbisë dhe Malit të Zi – SMATSA “ka ndërmjetësuar” që fluturakja të kthehet në Tiranë, shkruan “Novosti”, transmeton Insjaderi.com.

“Duke marrë parasysh se në aeroplan, si pjesë e ekipit, përveç pronarit të fluturakes Behgjet Pacolli, ishin edhe tre ish liderë të UÇK-së, të kërkuar nga gjykatat serbe, ata e trilluan rastin mjekësor. E gjithë kjo prej frikës se mund të detyrohen të ulen, dhe më pas të arrestohen”, pretendon gazeta serbe.

Sipas informatave që i ka marrë “Novosti” nga Kontrolli i fluturimit, aeroplani i tipit Challenger CL 60 ka hyrë nga Shqipëria në hapësirën ajrore të Malit të Zi, mirëpo para hyrjes në Bosnje dhe Hercegovinë, në orën 19:48, piloti kërkoi kthim në hapësirën ajrore të Shqipërisë, me pretendim se në aeroplan është një i sëmurë. Pasi raste të tilla nuk janë të rralla, SMATSA  e lajmëroi kontrollin e fluturimit në Tiranë dhe e drejtoi aeroplanin në hapësirën ajrore të Shqipërisë, pretendojnë “burime anonime” nga SMATSA.

Me vërejtje se ata nuk disponojnë me të dhënat mbi emrat e udhëtarëve, e as të pronarëve të aeroplanëve, nga SMATSA pretendojnë se nuk mund të detyrojnë të ulet aeroplani fluturimi i të cilit është lajmëruar mbi shtet tjetër, porse vetëm të udhëhiqet, gjë që e rregullon Konventa e Çikagos. “Ne mund ta ulim aeroplanin vetëm nëse hynë në mënyrë ilegale në hapësirën tonë”, kanë theksuar nga Kontrolli./Insajderi.com.