Liderët e VV takohen me ambasadorin O’Connell

08.08.2017 16:06
Liderët e VV takohen me ambasadorin O’Connell

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri, dhe i nominuari për kryeministër nga Vetëvendosje Albin Kurti, pritën sot në takim Ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruari O’Connell.

Në takim u diskutua rëndësia e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Britanisë së Madhe, dhe nevoja për bashkëpunim të mëtutjeshëm në fusha të ndryshme. E veçanërisht në lidhje me çështjet që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik dhe luftën ndaj krimit e korrupsionit, thuhet në një njoftim nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në këtë takim thuhet se është biseduar për zhvillimet e fundit politike dhe konstituimin e Kuvendit, ku nga të dyja palët u theksua rëndësia e formimit të institucioneve sa më parë.

Po ashtu u diskutua edhe për zgjedhjet lokale që do të mbahen me 22 tetor, dhe angazhimin për një proces elektoral të rregullt e demokratik.

Përfaqësuesit e Vetëvendosjes Ymeri dhe Kurti, falënderuan ambasadorin O’Connell për vizitën, e veçanërisht për kontributin e vazhdueshëm që ka dhënë Britania e Madhe për Kosovën. E po ashtu u shpreh interesim i dyanshëm për të vazhduar komunikimin dhe për takime të tjera. /Insajderi.com