Liberalizimi i vizave, nesër vendimi i Parlamentit Europian

Nesër do të mbahet seanca e radhës e Parlamentit Europian, ku do të vendoset për liberalizimin e vizave për Kosovën, Ukrainën dhe Gjeorgjinë

Liberalizimi i vizave, nesër vendimi i Parlamentit Europian

Gjasat për liberalizimin e vizave për Kosovën janë të vogla, pasi shumica e shteteve anëtare të BE’së nuk kanë shfaqur interes për të votuar pro liberalizimit për kosovarët.

Raportuesja e posaçme e Parlamentit Evropian për Kosovën, Ulrike Lunaçek dhe raportuesja për liberalizim të vizave, Tanja Fajon më 1 shtator, kanë shprehur keqardhjen e tyre me shtyrjen në Kuvend, të ratifikimit të marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi.

Në llogaritë e tyre në rrjetin social Twitter, Lunaçek dhe Fajon, kanë porositur se megjithatë “votimi në komitetin LIBE të Parlamentit Evropian do të bëhet ditën e hënë të javës së ardhshme”.

“Kosova duhet të përmbushë të dyja kriteret e mbetura për liberalizim të vizave” shkruan Lunaçek duke shtuar se “Fajon planifikon të ecë tutje me votimin në komitetin LIBE”.

Gjasat më të mëdha për liberalizim i ka Ukraina dhe Gjeorgjia, ndërsa Kosova duhet të presë ende.

Komiteti për të drejtat civile, drejtësi dhe çështje të brendshme, LIBE, është paraparë që të votojë nesër, më 5 shtator, për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, duke i hapur kështu rrugën Parlamentit Europian që të votojë për të njëjtin proces.

Komiteti LIBE ishte paraparë të votonte për Kosovën në korrik të këtij viti, por shtyu votimin në shtator me shpresën se politikanët e Kosovës do të gjejnë një zgjidhje për demarkacionin. /Insajderi.com