Liberalizimi i vizave për Kosovën – gjithçka që thuhet në Raportin e Progresit

Liberalizimi i vizave për Kosovën – gjithçka që thuhet në Raportin e Progresit

Raporti i Progresit për Kosovën nuk e ka bërë të qartë kur do të liberalizohen vizat, edhe pse ka theksuar se ratifikimi i Marrëveshjes së Kufirit me Malin e Zi shënon një përparim të vendit në këtë çështje.

Në dokumentin e përpiluar nga Komisioni Evropian bëhet e qartë se deri në momentin kur Parlamenti dhe Këshilli i Evropës do ta miratojnë heqjen e vizave për Kosovën, vendi duhet të forcojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Madje, togfjalëshi “liberalizim i vizave” përmendet vetëm katër herë në raport. Këto detaje shfaqin paqartësinë e Raportit të Progresit lidhur me çështjen e heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës.

“Kosova ka vazhduar të adresojë prioritetet e përcaktuara në Raportin e vitit 2016. Që nga viti 2012, Komisioni ka lëshuar katër raporte mbi avancimin e Kosovës drejt liberalizimit të vizave”, thuhet në raport.

“Më 4 maj 2016, Komisioni paraqiti një propozim legjislativ për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, me qëllimin se deri në ditën e miratimit të liberalizimit të vizave nga Parlamenti dhe Këshilli Evropian, Kosova duhet ta ketë të ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi dhe të forcojë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”

Po ashtu, në raport thuhet se Kosova është në një fazë të hershme dhe është në nivel përgatitës në luftën kundër korrupsionit.

Në periudhën raportuese, është bërë përparim në proceset e hetimeve dhe ndjekjeve penale të rasteve të nivelit të lartë të korrupsionit, duke përfshirë edhe dënime përfundimtare.

Progres u bë edhe për konfiskimin paraprak të pasurisë, edhe pse konfiskimet finale mbeten në nivel të ulët.

“Korrupsioni është i përhapur dhe mbetet një çështje shqetësuese. Nevojiten përpjekje të përbashkëta për të trajtuar këtë problem në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe strategjike. Pasi që rekomandimet në raportin e vitit 2016 janë adresuar vetëm pjesërisht, ato mbeten të vlefshme. Në vitin e ardhshëm, Kosova duhet në veçanti t’i ndërrmarrë këto hapa:

– rritjen e numrit të prokurorëve në Prokurorinë Speciale për hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë dhe ofrimin e trajnimeve për të forcuar kapacitetet e tyre për të kryer hetime financiare, konfiskimin e pasurisë dhe mbrojtjen efektive të dëshmitarëve; të ndryshojë kuadrin ligjor, duke e sjellë atë në përputhje me standardet evropiane;

– të sigurohen se raportet financiare dhe raportet e publikimit të fushatave nga partitë politike të botohen dhe auditohen vazhdimisht dhe të zbatohen sanksione për shkelje të ligjeve përkatëse”, thotë raporti.

Po ashtu, raporti kërkon që “të ndryshohet kuadri ligjor që rregullon partinë politike dhe financimin e fushatës në bazë të një mendimi të Komisionit të Venecias për të siguruar zbatim efektiv, përgjegjshmëri dhe transparencë”. /Insajderi.com