Nuk bie dakord me Zaev, Besa jashtë qeverisë në Maqedoni

Nuk bie dakord me Zaev, Besa jashtë qeverisë në Maqedoni

Lëvizja Besa ka vendosur të mos jetë në qeverinë e re me LSDM-në e Zoran Zaevit.

Në konferencë për media kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami tha se marrëveshja për bashkëqeverisje me LSDM-në nuk u arrit pasi mandatari, Zaev nuk pranoi të firmosë marrëveshje të shkruar mbi parimet e Besës, si: ridefinimi, vendim-marrja konsensuale dhe qeverisja e balancuar.

“Lëvizja Besa njofton opinionin se ajo nuk do të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme, për arsye se mandatari për formimin e qeverisë nuk ishte i gatshëm të pranojë parimet e Lëvizjes Besa dhe ato t’i nënshkruajë në një kontratë me shkrim”, deklaroi Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.

Gjithsesi ai tha se Besa do të jetë opozitë konstruktive dhe do të mbështesë të gjitha iniciativat në interes të shqiptarëve, raporton Alsat-M.

“Sidoqoftë, Lëvizja Besa do të vazhdojë të jetë një faktor konstruktiv politik në Maqedoni duke u bërë guardian i interesave shqiptare, por edhe interesave të të gjithë qytetarëve në vend. Dyert tona do të mbeten gjithnjë të hapura për këdo që i synon këto parime. Sot me plotë të drejtë mund të mburremi se Besa ishte pjesë e gjithë procesit për rrëzimin e regjimit Gruevski-Ahmeti, por se detyra jonë akoma nuk ka përfunduar”, u shpreh Kasami.

Paraprakisht Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë përmes një komunikate njoftoi opinionin lidhur me bisedimet me partinë Besa.

Në njoftim theksohet se edhe përskaj asaj që subjektet janë dakorduar dhe ndajnë përcaktimin e njëjtë për reforma urgjente, për zhvillim demokratik dhe evropian të Maqedonisë, megjithatë për një pjesë të çështjeve nuk arritën mbështetje.

“I lemë dyert e hapura për bashkëpunim rreth mbështetjes për reformat që pasojnë në Republikën e Maqedonisë si dhe për gjithçka tjetër me interes të përbashkët për të gjithë qytetarët e vendit tonë”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga LSDM-ja.