Letra e fëmijës shqiptar që Obama e lexoi në OKB

Letra e fëmijës shqiptar që Obama e lexoi në OKB

Kur në verën e këtij viti, bota u trondit nga fotografia e një fëmije sirian, i ulur në një ambulancë që qëndronte i heshtur dhe pa emocione para kamerave në Aleppo, ai u bë ikonë e krizës së refugjatëve.

Mijëra kilometra larg Aleppos, në New York, një moshatar i Omarit nga Siria, kishte vendosur të shkruante një letër për presidentin amerikan, Barack Obama.

Në atë letër, Aleks i bënte thirrje presidentit Obama që ta gjej fëmijën sirian dhe ta sjellë në familjen e tij në New York.

Atë letër muaj më vonë, presidenti amerikan do ta lexonte në Samitin e Liderëve për Refugjatë që u mbajt në shtator në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Por dy muaj më vonë, i dërguari i Shtëpisë së Bardhë në Shqipëri, ambasadori Donald Lu zbuloi se Aleks në fakt ishte fëmijë emigrantësh shqiptar, raporton Insajderi.

“Letra e gjashtëvjeçarit u bë e famshme në mbarë botën dhe të gjithë mësuan se ai ishte shumë i veçantë. Ata nuk e dinin në fakt që ai ishte një shqiptaro-amerikan. Prindërit e tij janë nga Shqipëria”, ka thënë Lu në një intervistë për Zërin e Amerikës.

E Obama pasi e kishte lexuar letrën para përfaqësuesve të të gjitha kombeve në OKB, kishte thënë se “humanizmi që ky fëmijë i vogël e shfaqë është një mësim për të gjithë”.

“Ai nuk ka mësuar të jetë cinik ose dyshues, apo të frikësohet nga njerëzit e tjerë për shkak të prejardhjes apo dukjes së tyre, apo mënyrës sesi luten por vetëm e kupton nocionin e trajtimit të tjetrit me dhembshuri e mirësi. Ne të gjithë mund të mësojmë nga Alex”, kishte thënë Obama pasi kishte lexuar letrën e fëmijës me prindër shqiptar që kanë emigruar në Amerikë.

Për ambasadorin e SHBA-së në Shqipëri, Donald Lu, emigrantët shqiptar në Amerikë janë komuniteti që kanë kontribuar shumë, raporton Insajderi.

“Kjo më kujton mënyrat e ndryshme me të cilat shqiptaro-amerikanët kanë kontribuar në Shtetet e Bashkuara. Ne jemi një vend imigrantësh dhe në Amerikë ka 214 mijë shqiptarë që punojnë në fusha të ndryshme të jetës”, ka thënë Lu për VOA./Insajderi.com

letra1 letra2 letra3