Letër prokurores Fitore Sadikaj: Ju rënduat dhimbjen e nënës për bijën e vdekur

Një nënë ka humbur vajzën e vetme. Asaj kurrë nuk do t’i kthehet më në jetë Dafina. Ajo kurrë nuk do të ketë më fëmijë tjerë. Ajo gjatë gjithë jetës do të jetojë me dhimbjen e humbjes së vajzës. Këtë dhimbje ju patët rastin t’ia lehtësoni pak. Nuk e bëtë këtë. Sepse iu nënshtruat ndikimit të shefit tuaj, Imer Beka. Iu nënshtruat interesave të tij!

Letër prokurores Fitore Sadikaj: Ju rënduat dhimbjen e nënës për bijën e vdekur

E nderuara prokurore Fitore Sadikaj,

Një nënë po lufton për të ditur të vërtetën për bijën e saj të vdekur në rrethana shumë të dyshimta. Është shumë e mërzitur. Ka humbur vajzën, fëmijën e saj të vetëm. Dhimbjen e saj e bënë edhe më të rëndë fakti që nuk po arrin ta mësojë të vërtetën: iu vetëvra apo ia vranë të bijën.

Për më shumë se një vit ajo po lufton për këtë të vërtetë.

Një ekspertizë e kryer në një Institut të Zvicrës e ka përjashtuar përfundimisht mundësinë që Dafina Zhubi ta ketë vrarë vetën. Kjo është krejtësisht në kundërshtim me konstatimin tuaj se e ndjera ia mori vetës jetën natën e 17 shkurtit 2016.

Këtë dokument ju nuk e keni në dorë sepse nuk jeni duke u marrë më me rastin. Por, besoj se keni lexuar se çfarë shkruan në këtë dokument prej gjashtë faqesh. Eksperti zviceran erdhi në përfundim se Dafina është vrarë, ndryshe nga Ju që konstatuat se ajo u vetëvra.

Konstatimi i Juaj është i dyshimtë sepse këtë e nxorët nën ndikimin e shefit tuaj, Imer Beka. Mbase nuk e dini se shefi juaj dyshohet ka hile në këtë rast.

Do të duhej ta dinit këtë sepse jeni prokurore. Shefi Juaj ndikoi që ta nxirrni një konstatim të ndikuar dhe dirigjuar e jo të bazuar krejtësisht në prova.

Ju nuk e kryet punën Tuaj si prokurore e pavarur, por kryet një shërbim për një të dyshuar që ka lidhje të shumëfishta me shefin Tuaj, Imer Beka.

Beka kishte arsye që t’ju sugjeronte mbylljen e hetimeve për vrasje kundër, Astrit Dibrës dhe lirimin e tij nga paraburgimi. Shefi Juaj ka dëshmuar tashmë se është vënë në mbrojtje të krimit.

Këtë e ka bërë hapur kur doli në mbrojtje të Adem Grabovcit dhe sulmoi Prokurorinë që nisi hetimet kundër tij. Shefi Juaj sulmoi edhe Gjykatën që kishte vendosur kundër padisë së Grabovcit për ndaljen e publikimit të përgjimeve të tij.

Mbase ju nuk e dini se dhëndri i shefit Tuaj, është njëri i afërm i Astri Dibrës. Mund të mos e dini po ashtu që nipërit e Shefit tuaj janë shumë të afërm me të dyshuarin Astrit Dibra. Mbase nuk e dini se Astrit Dibra është baxhanak me djalin e një prokurori të Prokurorisë Speciale që është mik i afërm i shefit Tuaj.

Asnjërën prej këtyre mund të mos i keni ditur. Kjo s’ka rëndësi. Rëndësi ka fakti që Ju nuk punuat sipas provave dhe bindjes Suaj si prokurore e pavarur, por sipas direktivave të shefit Tuaj.

Ju keni dështuar ta kryeni punën Tuaj. Si rrjedhojë Ju nuk jeni më e denjë të kryeni këtë funksion. Prandaj, duhet të largoheni nga Prokuroria.

Çka nëse edhe ndonjë institut tjetër ndërkombëtar vije në përfundim se Dafina Zhubi nuk ka kryer vetëvrasje? Çka nëse një koleg i Juaj merr guximin dhe e akuzon Astrit Dibrën për vrasjen e saj? Si do të ndiheni Ju si prokurore, si grua dhe si nënë?

Çfarë do t’i thoshit nënës së Dafinës po që se do t’u binte rasti të takoheshit ndonjëherë? Në secilin rast të hetimeve penale vendoset sipas provave, por, instinkti i nënës mund të jetë më i fortë sesa vlerësimi i ndikuar i këtyre provave që keni bërë Ju.

Me apo pa qëllim, Ju si prokurore jeni rreshtuar në krah të kolegëve tuaj të mjerë që në plotë raste dështuan të mbronin jetët e grave të rrezikuara.

Shteti është bërë përgjegjës që nuk arriti ta mbrojë jetën e Diana Kastratit, e vrarë vite më parë nga bashkëshorti i saj. Kolegu Juaj, gjyqtari Enver Shabanaj nuk kishte vendosur masë mbrojtëse për të ndjerën Kastrati, ani se ishte rrahur e keqtrajtuar dhjetëra herë nga bashkëshorti i saj vrasës. Si pasojë, shteti ia la në dorë jetën e saj këtij vrasësi gjakftohtë.

Diana nuk jeton më, sikurse Dafina.

Ju nuk kishit në dorë jetën e Dafina Zhubit sikurse gjyqtari Enver Shabanaj që kishte në dorë jetën e Diana Kastratit. Por, Ju kishin në dorë mundësinë për të zbardhur të vërtetën për rrethanat e vdekjes së Dafina Zhubit. Këtë të vërtetë nuk arritët ta zbardhni sepse iu nënshtruat direktivave të shefit Tuaj, Imer Beka që ka lidhje të shumëfishta me të dyshuarin për vrasje, Astrit Dibra.

E nderuara prokurore,

Veprimet Tuaja hetimore në këtë rast nuk ju bëjnë më të denjë të mbani pozitën e prokurores. Sepse gjithë puna që keni bërë në të kaluarën dhe që do të bëni në të ardhmen është e dyshimtë. Ku me ditë në sa raste keni akuzuar njerëz të pafajshëm dhe keni liruar nga akuza, fajtorë të vërtetë. Për këto arsye hiqni dorë nga funksioni i prokurores!

Mbase mund të mos Ju interesojë gjithë kjo ngjarje sepse jeni në pushim të lehonisë.

Keni lindur një vajzë. Shijojeni ndjenjën e nënës që mbanë në duar fëmijën e saj!

Por, një nënë tjetër ka humbur vajzën e vetme. Asaj kurrë nuk do t’i kthehet më në jetë Dafina. Ajo kurrë nuk do të ketë më fëmijë tjerë. Ajo gjatë gjithë jetës do të jetojë me dhimbjen e humbjes së vajzës. Këtë dhimbje Ju patët rastin t’ia lehtësoni pak. Nuk e bëtë këtë. Sepse iu nënshtruat ndikimit të shefit Tuaj, Imer Beka. Iu nënshtruat interesave të tij. /Insajderi.com