Letër e hapur për rektorin Marjan Dema kundër diskriminimit akademik

Letër e hapur për rektorin Marjan Dema kundër diskriminimit akademik

Janë mbledhë trembëdhjetë profesorë nga Kosova, të cilët kanë studiuar dhe ligjërojnë nëpër vende të ndryshme të botës, dhe ia kanë dërguar një letër të hapur rektorit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Marjan Dema, për të reaguan kundër diskriminimit për avancimin e profesorit, Arben Hajrullahu.

“Ne të poshtëshënuarit, doktorantë dhe staf akademik në Universitete të ndryshme të Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përmes kësaj letre shprehim shqetësimin tonë të thellë lidhur me trajtimin e Profesor Arben Hajrullahut nga Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës (UP)”, thuhet në letër.

“Përmes mediave jemi njoftuar se Profesor Hajrullahu po pengohet të rizgjedhet profesor i rregullt ngase ndaj tij po aplikohet zbatim i dyshimtë dhe jo i njëtrajtshëm i procedurave. Ne kërkojmë nga Universiteti i Prishtinës dhe institucionet tjera përgjegjëse që të parandalojnë mundësinë e keqpërdorimit të konkursit publik në rastin e Profesor Hajrullahut, si dhe të të gjitha rasteve tjera të tilla në Universitetin e Prishtinës. Fatkeqësisht, raste të tilla janë zhgënjyese për studiuesit e ndershëm dhe nuk e ndihmojnë ‘kthimin e trurit’ në Kosovë”, thuhet  më tej aty.

Pengimi i rizgjedhjes së Profesor Hajrullahut, thuhet  në letër, duket të jetë i ndërlidhur me aktivitetin e tij në shërbim të ngritjes së llogaridhënies, përmirësimit të cilësisë në mësimdhënie, dhe parandalimit të shkeljeve të normave akademike në UP.

“Profesor Hajrullahu është ndër të rrallët që ka kritikuar dhe denoncuar publikisht parregullsi dhe keqpërdorime në institucionin ku punon. Prandaj ne jemi posaçërisht të shqetësuar që ky rast paraqet tentim për heshtjen e zërave të pavarur në njërin prej institucioneve më të rëndësishme të vendit”, vazhdon letra drejtuar rektorit.

“Si punëtorë të shkencës dhe arsimit, ne kemi përgjegjësi profesionale ta mbrojmë pavarësinë e kolegëve tonë dhe të drejtën e tyre për të monitoruar dhe kritikuar aktivitetet e institucioneve akademike. Ne shprehim shqetësim, po ashtu, për kanosjen e integritetit dhe reputacionit akademik të Profesor Hajrullahut, një bartësi të titullit Magjistër dhe Doktor shkence nga Universiteti i Vjenës, profesionist i dëshmuar për angazhimet dhe kontributin e tij shkencor, dhe ish-bursist i programit amerikan Fullbright”, thuhet aty.

“Ne mbështesim vlerësimin efektiv, rigoroz, dhe të drejtë të të gjithë stafit mësimdhënës dhe shkencor në UP. Rrjedhimisht jemi të brengosur, po ashtu, se rekomandimi i menaxhmentit të Fakultetit Filozofik për rishpallje të konkursit publik ende pa përfunduar procedurat e rregullta paraqet shkelje të normave ligjore në fuqi”, thuhet tutje.

Kjo, sipas letrës, vetëm sa e konfirmon brengën e përgjithshme publike për keqmenaxhime brenda UP-së.

“Prandaj i bëjmë thirrje Universitetit të Prishtinës dhe institucioneve të tjera përgjegjëse që të parandalojnë çfarëdo keqmenaxhimi të konkurseve publike. Vetëm aplikimi i paanshëm dhe rigoroz i mekanizmave vlerësues në UP dhe respektimi i integritetit dhe parimeve akademike do ta mundësojë realizimin e misionit të UP-së për avancimin e dijes, shkencës, dhe zhvillimit në Kosovë”, përfundon letra e hapur drejtuar rektorit të UP-së, Marjan Dema.

Nënshkrues të kësaj letre janë 13 profesorë nga Kosova, të cilën kanë studiuar dhe që ligjërojnë nëpër universitete të ndryshme të botës./Insajderi.com