Letër e hapur Ministrit Abrashi para përvjetorit të Grevës së Minatorëve

Letër e hapur për Ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi

Letër e hapur Ministrit Abrashi para përvjetorit të Grevës së Minatorëve

Z. Ministër, meqense jemi në prag të shënimit të përvjetorit të Grevës së Minatorëve të vitit 1989,vendosa përmes kësaj letre t`ua përkujtoi Juve dhe opinionit të gjerë ato ditë, por edhe gjendjen e minatorëve sot.

Vetëm ai që ka pasur fatin të jetë ato ditë me ta, ka pasur mundësinë ta kuptoi gatishmërinë e tyre për sakrificë,gatishmërinë që të japin çdo gjë nga vetvetja për të mbrojtur të drejtën, lirinë dhe interesin e përgjithshëm pa kërkuar asgjë për vete.

Ndoshta ata për mua atëherë ishin të jashtëzakonshëm se i kam përjetuar dhe takuar, (kam ndarë  fatin me ta) në një moment të jashtëzakonshëm. Ata që atëherë u quajtën “Simbol i Rezistencës gjithëpopullore” gjithë populli u solidarizuan me ta pikërisht për shkak të modestisë, urtësisë dhe gatishmërisë për sakrifice.

“Vetëm i urti dhe heroi e kanë sinqerisht dhe në emër të së vërtetës, kurse demagoget dhe politikanët me dyfytyrësi dhe në emër të interesit”.

Po ua përkujtoi përpjekjen e tyre për të mos lejuar ndryshimet kushtetuese dhe suprimimin e autonomisë së Kosovës, marshimin e tyre në këmbë për në Prishtinë (nëntor 1988) e më pastaj grevën urisë që lëkundi themelet e Jugosllavisë.

Nga ajo kohë dhe në vazhdim represioni dhe dhuna sistematike shtohej por asnjëherë nuk pati luhatje në rrugën që kishim nisur,me shpresë se ditë të mira do të vijnë, më pas, për ta dhe fëmijët e tyre.

Me formimin e LDK-së, në krye me Ibrahim Rugovën  të gjithë u anëtarësuam në ketë Lëvizje dhe thuajse ishim edhe anëtarësia e parë numerike që ju bashkuam alternativës. Tani ndiheshim më të fortë!

Më 06.03.1990, në minierën ku kam punuar edhe unë (por edhe në minierat dhe ndërmarrjet tjera për mos me i përmend të gjitha se nuk i kam datat e sakta) të gjithë punëtorët braktisen Sindikatën e atëhershmedhe formuan Sindikatën e tyre të pavarur.

Si kundërpërgjigje Serbia më 19.03.1990, filloi të aplikoi ligji e ashtuquajtur <obligimi për punë>të miratuar enkas nga Kuvendi Serbisë

Më 07.08.1990,Kuvendi i Serbisë vendosi masat e dhunshme,të cilat nuk i pranuam dhe vendosem që mos ti zbatojmë urdhrat e tyre. Si ndëshkim për këtë por edhe sipas projektit serb për spastrim etnik të Kosovës pasuan masat tjera.

Sipas evidencës së vitit 1994 pasojat e kësaj fushate ishin:

– 7641 minator (dhe punëtor tjerë në miniera) u larguan nga puna,.
– 3388 prej tyre u dënuan me burg (prej 30 ditë deri në 14 muaj),
– 333 u rrahën dhe malltretuan në forma të ndryshme,
– 8 prej tyre (vetëm në minierën ku kam punuar unë) përjetuan atë <izolimin> famëkeq së bashku me shumë tjerë që ju ndoshta e dini,
– 51 punëtorëve iu morën banesat, mbeten pa kulm mbi kokë,
– 219 u larguan nga Kosova për shkaqe ekonomike (me familje),
– 491 u larguan nga Kosova për të njëjtat shkaqe (pa familje),
– 203 kërkuan azil politik në shtete të ndryshme dhe
– 1915 prej tyre mbeten pa kurrfarë të ardhurash, në mëshirën e tjerëve për të iu ndihmuar.

Athua ku qëndronte arsyeja që pushteti serb u soll me kaq brutalitet ndaj tyre?

Sindikatës, që tanimë ishte organizatë e të papunëve, ju ngarkuan detyra të rënda. Ishte i domosdoshëm angazhimipër organizimin e grumbullimit dhe shpërndarjessë ndihmave për gjithë ato familje në nevojë, natyrisht,me koordinimin e veprimeve me subjektet politike (LDK-në), me Sindikata të vendeve demokratike të botes të cilat së pari duhej informuar për gjendjen e rëndë të krijuar në Kosovë. Në anën tjetër duhej ruajtur uniteti si dhe grackave të vazhdueshme të kurdisura nga Serbia. Ndër to kërkesat e vazhdueshme gjëja për kthim në punë. Por tani gjërat kishin ecur larg dhe kërkohej përkrahje e kërkesave tanimë konkrete dhe atë në mënyrë institucionale.

Meqenëse isha i caktuar nga Bashkimi i Sindikatave për koordinim me LDK-në, më 09.06.1995 kam qenë i ftuar në takimin e Presidenti Rugova me Kryetarët e degëve (unë isha edhe në cilsinë e nënkryetarit të BSPK-së).

Pas informatës të presidentit, që ishte pika e pare e rendit të ditës, për piken e dytë isha i ftuar për të informuar për qëndrimet e sindikatës lidhur me disa konkurse serbe për të pranuar  një numër të vogël të punëtorëve në punë, për bisedimet eventuale me sindikatën serbe të iniciuar nga një institut amerikan.

U pajtuam për qëndrimet që duhet të mbajmë dhe se kemi obligim të mbrojmë interesin e shumicës së punëtorëve, nuk guxojmë të krijojmë përçarje në mes të punëtorëve kurse sa i përket bisedimeve, ne mund të bisedojmë por pa hy në çështjet politike qe tani janë detyrë e institucioneve të zgjedhura në Kosovë.

Mund të numërohen në gishtat e një dore ata shqiptarë që kanë pranuar të kthehen në punë me kushtet e vendosura nga Serbia, edhe pse i joshnin me kthimin e banesave dhe me përfitime të tjera.

Ngjarjet që pasuan më pas janë të njohura për të gjithë, por pas luftës ja si  “u shpërblyen”  minatorët, edhe pse shpresat ishin të mëdha se po vinin ditët që kemi pritur.

– Ndodhi privatizimi dhe gati të gjithë prapë mbeten pa punë.- U tha se atyre nuk mund tu numërohet stazhi i punës për periudhën 1990-1999.

– U mor vendim se të drejtë në pension kanë vetëm ata punëtor që kanë mbi 15 vjetstazh pune me kontribute të paguara. Me një fjalë për të pasur të drejtë në kësi pensioni, sipas kësaj logjike, 80% e punëtorëve ishte dashur ti pranojnë masat e dhunshme dhe të punojnë me ligjet e Serbisë.

– Iu mohua e drejta në pension edhe atyre punëtorëve të cilët për të siguruar ekzistencën punuan në disa firma të ndryshme private (me pronar shqiptar), po,as ata nuk pranuan t`i paguajnë kontributet Serbisë, nga se ashtu ishte edhe qëndrimi sindikatës.

– Me ligjet e shtetit tone të < dashur>, edhe një ditë nëse ke mangut 15 viteve, i humbë të gjitha vitet dhe kalon në pension të pleqërisë. Ky është absurd sepse kudo në botën e civilizuarpunëtorit i pranohet stazh aq vite sa i ke kaluar në punë, qofshin ato dy, tri apo më shumë.

– Ju lutem ku e morët ketë model, si ka mundësi?  A nuk ka qenë më e drejtë që secilit së paku t`i numërohen aq vite sa ka. Apo në demokraci thirreni  aq shumë vetëm sa për të na hedhur hi syve dhe domosdo atëherë kur i kërkoni votat? Ju mundë të arsyetoheni se kjo bëhet në mungesë të buxhetit, por, kjo nuk qëndron kur shihet se si po keqpërdoret buxheti nga vetë institucionet.

– Tani a ka më turp se tu thuhet punëtorëve krejt e kundërta e asaj që iu është thënë atëherë, kur shohin se ata që kanë punuar në cilin do shtet,qoftë edhe një kohë të shkurtër, askush nuk merr të drejtën t`ua humbë djersen e tyre .

– Tani sikur na thoni se ne është dashur ti pranojmë të gjitha (masat e dhunshme, suspendimin e autonomisë, okupimin etj.) në mënyrë që sot ta gëzonim të drejtën për pension!

– Na tregoni ju lutemi z. Ministër si do ta ndiej vetin një minator sot, që ka kontribuar për Pavarësinë e Kosovës, që ka pësuar të gjitha ato që u thanë më lartë dhe nuk i takon as pensioni  i cili edhe ashtu është minimal, por,  kjo nuk besoj së mund të arsyetohet. Apo, ndoshta?

– Si do ta ndiej vetin ai punëtor kur takohet me një koleg të vetin që ka pranuar Serbinë si shtet të vetin dhe nuk i ka njohur institucionet legjitime të Kosovës (edhe pse të tillët, për fat, kanë qenë pak) dhe përkundër kësaj tani  merr pensionin e plotë?

– Çka t`u thonë fëmijëve këta minator , kur fëmijët e tyre e shohin si trajtohen ata sot?

– Si ka mundësi që po gjeni mjete për t`i paguar trefishin e atyre që vërtet kanë vesh uniformen e UQK-së (ata vetë po e thonë këtë), e që në fakt është për të fituar vota, dhe nuk paska mundësi që punëtorëve së paku mos t`u mohohet djersa dhe mundi i tyre.

– Si ka mundësi z. Ministër të thirreni në Rugovën dhe rugovizmin dhe vendimet të jenë në kundërshtim me vendimet e marra gjatë periudhës 1990-1999?

– Çka duhet t`u themi sot atyre minatorëve që dikur i përfaqësonim dhe na besonin?

Dhe për fund z. Ministër Abrashi, thuhet se “vështirë është të ruhet paça kur diferenca në mes të varfërve dhe të pasurve është marramendëse”. A mendojnë drejtuesit tanë për këtë vallë!

Po citoi një thënie që e kam lexuar diku: ““Pushteti politik është aftësia e disa njerëzve për t’i detyruar të tjerët të punojnë sipas dëshirës së tyre, kjo aftësi vjen nga pozita, nga funksioni apo prej parave, prandaj nuk ka lidhje as me mirësinë as me mençurinë”

 (Autori është ish-kryetar i Sindikatës së Minatorëve dhe nënkryetar i BSPK)