Leonardo Jardim, trajneri problematik i Monacos që nuk ka luajtur futboll

Leonardo Jardim, trajneri problematik i Monacos që nuk ka luajtur futboll

Monako është surpriza më e bukur e çerekfinaleve të Champions-it. Jo vetëm për faktin që arriti të eliminojë Manchester Cityn, por edhe për shkak të lojës spektakolare që dhuron. Një futboll me presing të vazhdueshëm, i dominuar nga forca fizike dhe kualiteti i disa lojtarëve të rinj në moshë. Merita për të këtë skuadër pa diskutim që është e trajnerit Leonardo Jardim.

42-vjeçari ka një karrierë me shumë ulje ngritje, që kulmon tashmë në krye të Monacos. Ai nuk ka qenë futbollist, por ka investuar gjatë gjithë jetës për t’u bërë trajner, ku gjithsesi nuk ka mundur të evitojë problemet me drejtuesit, pasi shpeshherë është përplasur ashpër me presidentët, duke u shkarkuar në pjesën më të madhe të klubeve që ka drejtuar.

Jardim ka lindur në Venezuelë nga prindër portugezë. Duke pasur një dashuri të madhe për futbollin, por pa talentin e duhur për ta luajtur vetë, nisi që në moshë të re karrierën si trajner. Saktësisht, kur ishte 22 vjeç ai drejtonte ekipin e të rinjve të Santakruzenses, ndërsa pesë vite më vonë u emërua zëvendëstrajner i skuadrës Kamaço, që militonte në Kategorinë e Tretë.

Pas gati tri vitesh në këtë pozicion iu besua edhe drejtimi i pankinës, ku qëndroi për plot pesë edicione me radhë, pa ndonjë sukses për t’u mbajtur mend. Në 2009 ai merr një ofertë nga Beira Mar, në të njëjtin nivel dhe arrin që në edicionin e parë ta ngjisë në Kategorinë e Dytë të Portugalisë, duke e mbyllur në vendin e parë, por aventura nuk i zgjati për shumë kohë, pasi u shkarkua nga detyra në gjysmën e edicionit pasardhës.

Gjithsesi, arritja kishte mjaftuar për t’i bërë një reklamë në arenën elitare dhe në majin e vitit 2011 i vjen oferta, e cila i ndryshoi edhe rrjedhën e karrierës. E kërkon Braga dhe ai bën një punë të jashtëzakonshme duke arritur të fitojë 13 ndeshje radhazi dhe të sigurojë një pjesëmarrje në Ligën e Europës, pasi u rendit i treti.

“Historia” nuk ndryshoi me karakterin e tij sepse nuk mundi të drejtojë edhe një edicion tjetër. Pas një përplasjeje të ashpër me presidentin Salvador u shkarkua nga detyra. Detyra pasardhëse e largon nga Portugalia dhe drejton gjigantët grekë të Olimpiakosit. Kundër pritshmërive nuk ia doli që të bëjë diferencën, duke e larguar pa u mbyllur sezoni, për shkak të rezultateve negative. Madje, edhe aty pati një debat të ashpër me presidentin.

I etiketuar si një teknik shumë i aftë por me karakter problematik, Sportingu i Lisbonës vlerësoi se ishte i duhuri për t’i dhënë një impuls tjetër ekipit që po haste vështirësi. Rezultoi zgjedhja e duhur, duke qenë se Zhardim e kualifikoi në Ligën e Kampioneve, pasi u rendit në vendin e dytë. Edhe pse një edicion i suksesshëm nuk qëndroi, por pranoi ofertën e Monakos, shkruan Panorama Sport.

Këta të fundit paguan 3 milionë euro dëmshpërblim te Sportingu që të zgjidhej kontrata e 42-vjeçarit, i cili në verën e 2014-s nisi një epokë shumë të suksesshme në Monte Karlo. Me ide të qarta për të investuar te të rinjtë dhe për një stil loje agresiv ia doli që të realizojë njëkohësisht dy objektiva: të jetë i suksesshëm në rezultate dhe të mbushë arkën e klubit prej promovimit të talenteve që janë shitur me shifra shumë të larta. Nëse dikur nuk ia doli të jetë futbollist, tashmë ai është një nga trajnerët më të vlerësuar dhe kërkuar në kontinent