Lëkundja e themeleve të Kalasë së Harilaçit me muzikë elektronike

Lëkundja e themeleve të Kalasë së Harilaçit me muzikë elektronike

Është zbuluar në fund të vitit 2005 pas një kërkimi të gjatë të arkeologëve kosovar. Është 25 kilometra larg Prishtinës dhe llogaritet një nga vendet më të rëndësishme arkeologjike në Kosovë.

Quhet Kalaja ose kështjella e Harilaçit dhe qysh prej zhvillimit, kjo qendër arkeologjike ka qenë cak i vizitave të ndryshme dhe ndonjë aktiviteti tjetër në trashëgiminë kulturore, por me 11 shtator të këtij viti, mbi 11 Dj lokal e ndërkombëtarë do të luajnë muzikë mbi themelet e kështjellës që daton nga shekulli IV-VI.

Është titulluar “Visions of Beyond” dhe organizohet nga “Hapësira” që përbëhet nga një grup i profesionistëve që kanë për qëllim shfrytëzimin e hapësirave jo të destinuara për party.

Me një përzgjedhje fine të Dj-ve që prezantojnë një gjeneratë tjetër të muzikantëve elektronik, “Visions of Beyond”, sipas organizatorëve ka për qëllim që të bëjë bashkë në Harilaç adhuruesit e muzikës në një vend që nuk shfrytëzohet për këtë arsye.

posterVoD

“Përmes partneritetit tonë të ngushtë me Institutin Arkeologjik të Kosovës, organizatën për trashëgimi kulturore CHwB dhe Muzeun e Kosovës, ne synojmë që të paraqesim një qasje tjetër për ri-formimin  e trashëgimisë sonë kulturore”, ka thënë Uran Badivuku, Dj dhe një nga organizatorët e koncertit.

Bashkë me ushqimin tradicional, muzeun mobil, teleskop e ciceronë do të shënohet ngjarja e titulluar “Visions of Beyond” në të cilën do të bëhet edhe vendosja e shenjëzimeve përgjatë rrugës magjistrale në rrugën lokale, si dhe tabelave në lokalitet.

“ChwB” është implementuese e kësaj pjese. Janë gjithsej 11 artistë që do të ngjiten në skenën e Kalasë. Gjashtë prej tyre nga Kosova – Trim, Panda, Legoff, Liburni, Uran B dhe Iliros – tre nga rajoni – Ger Kacerja nga Shqipëria, Kristijan Molnar nga Serbia dhe Baloski nga Maqedonia – dhe Pisetzky nga Italia e Aera nga Gjermania.

Pisetzky dhe Aera janë DJ-të kryesor të kësaj ngjarje, që sipas organizatorëve ka për qëllim që pas 11 shtatorit Kalaja e Harilaçit të jetë një pikë e rëndësishme turistike./Insajderi.com