Lekaj flet për takimet ‘sekrete’ me deputetët

14.08.2017 16:10
Lekaj flet për takimet ‘sekrete’ me deputetët

Shefi i Grupit Parlamentar nga radhët e AAK-së, Pal Lekaj thotë se kanë zhvilluar takime individuale me deputetë nga radhët e subjekteve tjera parlamentare për çështjen e krijimit të institucioneve të vendit.

Lekaj ka përsëritur zotimin e liderit të partisë së tij njëherësh të nominuarit për kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj se vendi do të bëhet me institucione të reja brenda pak ditëve.

“Qeveria e Kosovës do të krijohet sipas afatit të cilin e ka potencuar z. Haradinaj si kandidat për kryeministër dhe nuk bëhet fjalë këtu se ‘ku do t’i gjejmë numrat’, sepse ne dëshirojmë të jemi serioz dhe këtë e tregon fakti që kemi ftuar të takohemi edhe subjekte politike po ashtu për t’i dhënë zgjidhje sa më shpejt dhe sa më qëndrueshëm”, ka thënë Lekaj për Blic.

Ai ndër të tjerash ka shtuar se kanë biseduar edhe me deputet individualisht pasi që sipas tij deputeti si në kuadër të partisë (grupit parlamentar) po ashtu edhe si individ përfaqëson votat e tij që ia kanë besuar njerëzit e këtij vendi.

“Ne deputetët nuk i konsiderojmë vetëm numra ashtu siç disa po tentojnë t’i paraqesin, por më tepër e shohim atë çka ata e kanë për synim të bëjnë në shërbim të vendit, për ç’gjë edhe kanë kërkuar votën e qytetarëve të Kosovës” – ka thënë Lekaj.

Ditë më parë, i pari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)  në një intervistë për REL, ka thënë se brenda 10 ditëve të ardhshme Kosova do të ketë institucionet e reja.