Lekaj drejton akuza rënda për tre ish-ministra të LDK-së

27.11.2017 22:40
Lekaj drejton akuza rënda për tre ish-ministra të LDK-së

Pal Lekaj thotë se me nguti kishin provuar ta bënin pararendësit e tij në Ministrinë e Infrastrukturës, përzgjedhjen e operatorëve për autostradën drejt Gjilanit.

 

Madje, sipas tij, ish-ministrat e LDK-së, Avdullah Hoti ish-ministër i Financave, Lutfi Zharku, ish-ministër i Infrastrukturës dhe Hykmete Baajrami, ish-ministre e Tregtisë dhe Industrisë “kishin firmosur fillimin e procedurave për autostradën e Gjilanit pa pas në tavolinë elaboratin e shpronësimit, pa leje mjedisore dhe pa mbështetje financiare”.

“Kjo është shkelje ligjore”, ka thënë Lekaj në “Puls” të KTV-së.

“Komisioni vlerësues i Ministrisë së Infrastrukturës për zgjedhjen e operatorëve që vjen nga zyra e prokurimit publik e ka nënshkruar kontratën me nguti, në orën 23:00”, ka thënë tutje Lekaj.

Ai ka thënë se ka shpëtuar nga kjo kontratë 17 milionë euro.

“Nga procedura pas rivlerësimit në OSHP, Kosova ka përfituar përafërsisht 17 milionë, sepse të parët që e kanë fituar këtë tender për autostradën e Gjilanit ishin shumë më të shtrenjtë, por pas ankesës është zvogëluar në 17 milionë euro”, ka thënë Lekaj.

Tutje, Lekaj ka thënë të jetë habitur nga ajo që ka gjetur në Ministrinë e Infrastrukturës.

“Jam habitur çka kam gjetur në Ministri. Kam gjetur Memorandume me komuna dhe zyra tjera ku vlera arrin 290 milionë të nënshkruara nga ministri Zharku, që për mua është joserioze sepse tërë buxhetin ne nuk e kemi kaq të lartë”, ka thënë ai.