Lekaj akuzon KEDS-in dhe Ujësjellësin për zvarritjen e punimeve në rrugën që lidh Prishtinën me Gjilanin

Lekaj akuzon KEDS-in dhe Ujësjellësin për zvarritjen e punimeve në rrugën që lidh Prishtinën me Gjilanin

Ministri i Infrastukturës, Pal Lekaj, më 26 gusht kishte thënë se deri me 10 shtator do të përfundojnë punimet të cilat kanë filluar për zgjerimin e rrugës në dalje të Prishtinës, në magjistralen që lidh kryeqytetin me komunën e Gjilanit.

Mirpo këto punime ende nuk kanë përfunduar. Duke e bërë këtë premtimin e dytë të ministrit Lekaj për përfundimin e këtyre rrugëve.

“PO NDODH TANI! Asfaltimit të rrugës së “Gorenjes”, njëra nga shumë projektet për rimëkëmbjen dhe modernizimin e infrastrukturës në mbarë vendin që janë pjesë e rrjetit tonë ndër urban, po i vije fundi. E tëra do të përfundoj deri më 10 shtator. Ju dëshiroj të diele relaksuese!”, kishte shkruar Lekaj në Facebook.

Në fillim të muajit maj, kur Ministria e Infrastrukturës kishte filluar punimet ishte premtuar se punimet do të përfundojnë brenda 55 ditëve të punës.

“Segmenti i rrugës nacionale N25.2, do të jetë i gjatë 600 metra, me katër korsi dhe do të kushtojë 800 mijë euro, kurse punimet në zgjerim të këtij segmenti do të përfundojnë brenda 55 ditësh”, thuhej në njoftimin e Ministrisë.

Mirpo fajin për këtë vonesë Ministria e Infrastrukturës ia kishte hedhur KEDS-it dhe Ujësjellësit.

“Në momentin e fillimit të implementimit të projektit në fjalë, operatori ekonomik, ka bërë kërkesë në KEDS, në KUR dhe këto dy ndërmarrje janë vonuar në përgjigjet e tyre ndaj situatës dhe të njëjtat nuk janë përgjigjur për shënimet e sakta gjatë projektimit dhe pastaj operatori ekonomik gjatë implementimit ka hasur në probleme të mëdha, në kabllot e rrymës dhe në instalimet e ujësjellësit dhe të atyre të ujërave të zeza”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Infrastrukturës. /Kallxo.com