Le Pen thotë se sanksionet kundër Rusisë duhet të hiqen

24.03.2017 21:27
Le Pen thotë se sanksionet kundër Rusisë duhet të hiqen

Kandidatja e ekstremit të djathtë për presidente të Francës, Marine Le Pen, takoi të premten në Moskë presidentin rus, Vladimir Putin, ndërsa bisedoi edhe me ligjvënësit rusë.

Le Pen tha se Bashkimi Evropian duhet t’i heqë sanksionet kundër Rusisë, të cilat i cilësoi si “kundërproduktive”.

Le Pen po ashtu bëri thirrje për lidhje më të ngushta midis Rusisë dhe Francës, në kohën e, siç tha, dy sfidave gjigante: globalizmit dhe fundamentalizmit islamik.

Putin, në anën tjetër, tha se Rusia nuk synon të ndikojë zgjedhjet në Francë dhe se ai ka të drejtë të takojë cilindo politikan“.

“Edhe partnerët tanë në Evropë dhe në SHBA e gëzojnë të drejtën e njëjtë”, tha Putin.

Kur Rusia ka aneksuar Krimenë nga Ukraina në mars të vitit 2014, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë vendosur ndalesa udhëtimi dhe u kanë ngrirë asetet individëve dhe kompanive që kanë lidhje me elitën qeverisëse në Rusi.