Le Pen: BE-ja do të vdesë, globalizimi do të marrë fund

27.03.2017 14:27
Le Pen: BE-ja do të vdesë, globalizimi do të marrë fund

“Bashkimi Evropian do të vdesë dhe globalizmi do të mposhtet”. Nuk kanë fund deklaratat polemizuese të Marine Le Penit, që kërkon të ri entuziazmojë bazën e Frontit të saj Nacional në javët e fundit përpara zgjedhjeve presidenciale.

Vota e britanikëve për shkëputjen nga BE-ja dhe triumfi befasues i Donald Trumpit në betejën për Shtëpinë e Bardhë i dhanë krahë kryetares së partisë së ekstremit të djathtë, të pozicionuar hapur kundër bllokut dhe emigrantëve.

“Zgjedhjet franceze, – u tha ajo simpatizantëve gjatë një mitingu elektoral në Lille, – do të jenë hapi i radhës në rebelimin global të popujve”.

“Bashkimi Evropian do të vdesë, sepse njerëzit nuk e duan më. Ne do të konfirmojmë edhe njëherë se perandoritë arrogante dhe hegjemonike janë të destinuara të zhduken. Ne do ta ndryshojmë Evropën dhe do t’i japim një energji të re idesë së saj, të rrezikuar nga varrmihësit federalistë”, tha Marine Le Pen.

Sondazhet tregojnë në vazhdimësi se, Le Pen do të arrijë rezultate të kënaqshme gjatë raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale më 23 prill, por mund të humbasë në raundin e dytë të 7 majit përballë kandidatit të qendrës, Emmanuel Macron.

Ajo është përpjekur të fitojë terren duke kritikuar BE-në, që ka humbur popullaritet mes votuesve, u thotë se nëse merr drejtimin e Elizesë nuk do ta shkëpusë menjëherë Francën nga Bashkimi Evropian, por pas 6 muajsh do të mbajë një referendum mbi rinegociimin e kushteve të anëtarësimit të saj.