LDK thotë se është “unike” për demarkacionin

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Grupi Parlamentar i kësaj partie kanë mbajtur sot një takim pas të cilit kanë thënë se kjo parti është “unike” në qëndrimin e vet sa i përket votimit të nesërm të demarkacionit.

LDK thotë se është “unike” për demarkacionin

Përmes një komunikate për media, LDK ka thënë se është rikonfirmuar mbështetja e të gjitha strukturave të LDK-së për deputetët e Kuvendit që të votojnë për ratifikimin e kësaj marrëveshje.

“Deputetët e LDK-së dhe anëtarët e Kryesisë theksuan se LDK-ja do të jetë unike në adresimin e kësaj çështjeje me rëndësi të madhe për të ardhmen e shtetit dhe për perspektivën evropiane të qytetarëve të Kosovës”, thuhet në një komunikatë për media.

“Ishte qëndrim i përbashkët se LDK-ja me votimin unanim të kësaj marrëveshjeje do të rikonfirmojë përkushtimin e saj për mbrojtjen dhe avancimin e interesave kombëtare të vendit, fuqizimin e shtetësisë dhe të subjektivitetit ndërkombëtar, për fuqizimin e partneritetit strategjik me SHBA-të dhe vendet e tjera mike, për liberalizmin e vizave, për transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur dhe hapat e tjerë zhvillimorë të vendit”, thuhet në komunikatë.

Marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi do të votohet nesër në Kuvend.  Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar protestë ndërsa dy partitë e tjera opozitare, AAK e NISMA, kanë thënë se nuk do të marrin pjësë në këtë protestë por do ta kundërshtojnë marrëveshjen brenda Kuvendit./Insajderi.com