LDK: Thaçi përfshihet në fushatë, në Prizren koordinohet me Kryeziun e PDK-së

LDK: Thaçi përfshihet në fushatë, në Prizren koordinohet me Kryeziun e PDK-së

Lidhja Demokratike e Kosovës ka akuzuar sërish Presidentin Hashim Thaçi se po përfshihet në fushatën zgjedhore.

“Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është fotografuar në Prizren në shoqëri të Njazi Kryziut, zyrtarit të shkarkuar të komunës së Prizrenit, pas publikimit të “Dosjes Pronto” dhe një serie skandalesh të udhëheqjes së Komunës së Prizrenit prej Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), por të shpërblyer prej pasuesit të Hashim Thaçit në krye të PDK-së, Kadri Veselit, me një pozitë këshilltari në kabinetin e tij të stërmadh si ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës”, thotë LDK përmes një komunikate për media.

“Njazi Kryziu, për më tepër, është një prej drejtuesve të PDK-së në Prizren,” thuhet tutje në komunikatë.

“Prandaj, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), të cilës të martën i ka mbërritur kjo fotografi nga një qytetar i Prizrenit, të kulturës dhe traditës, shpreh shqetësimin se Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në kundërshtim me mandatin e tij kushtetues, po vazhdon të përfshihet në fushatën parazgjedhore në Kosovë, në përpjekje për t’u dalë në ndihmë bashkëpartiakëve të tij të PDK-së”, thuhet në reagimin e LDK-së.

“LDK konsideron se nuk ka asnjë shpjegim objektiv që e arsyeton praninë e një Presidenti të shtetit nëpër aktivitete jozyrtare, në kohë fushate dhe me eksponentë të njohur të një subjekti politik. Sigurisht PDK-së”.

“Kabineti i Presidentit të Kosovës, për të martën, kur është zhvilluar “vizita” e Hashim Thaçit në Prizren, nuk ka njoftuar për asnjë aktivitet zyrtar të tij.  Siç duket, vërejtja publike që iu bë atij nga LDK dhe shoqëria civile e mediat, për denoncim në Gjykatën Kushtetuese, ka bërë që Thaçi të mos e vazhdojë fushatën e tij në mbështetje të PDK-së nëpër shkolla”, thotë LDK.