LDK reagon ndaj Thaçit: Po manipulon rëndë, nuk ishim kundër FAK-ut

LDK reagon ndaj Thaçit: Po manipulon rëndë, nuk ishim kundër FAK-ut

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas deklaratës së Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili të premtën përmendi kundërshtimet e deputetëve të LDK-së për formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës në 2014-n.

LDK ka thënë se “po manipulohet rëndë se ishte LDK-ja e cila pengoi që të themelohet Forca e Armatosur e Kosovës, sepse kundërshtoi vendet e rezervuara në Parlament për komunitetet joshumicë si kusht për votimin e ndryshimeve kushtetuese nga deputetët serbë”.

Përmes një komunikate të lëshuar për medie, LDK ka thënë se në vitin 2014 kjo parti nuk kishte rënë dakord që të formohej FAK-u me kusht që t’i zgjatej mandati i vendeve të rezervuara deputetëve të komunitetit pakicë në Kuvendin e Kosovës.

“Arsyeja ka qenë se përfaqësuesit e komunitetit joshumicë kishin konsumuar të drejtën e tyre kushtetuese, sipas Pakos së Ahtisarit dhe duhet të kalonin vetëm në vende të garantuara. Me të drejtën e vendeve të rezervuara, komunitetet do të kishin rreth ose mbi 30 deputetë në Parlament, në krahasim me 20 sa i kanë si vende të garantuara”, njofton LDK.

“Kushti se atyre do t’u zgjatej kjo e drejtë vetëm edhe për një mandat (kishte nga përfaqësuesit e partive politike shqiptare që ishin zemërgjerë dhe thoshin së paku edhe për dy mandate), ishte i pasinqertë ndaj opinionit, sepse marrja e kësaj të drejte pas një apo dy mandateve kërkonte votën e dyfishtë të 2/3 të deputetëve, të cilën nuk do ta arrinin në asnjë moment, pasi që pakicat nuk do të votonin që t’ia privojnë vetes një të drejtë kushtetuese, pa marrë parasysh marrëveshjen formale”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Sipas kësaj partie, përfaqësuesve të komuniteteve joshumicë iu kemi siguruar diskriminim pozitiv, duke pasur parasysh se ata kanë përfaqësimin në Kuvend prej rreth 17%, karshi pjesëmarrjes prej 10% në strukturën e popullsisë së Kosovës.

“Me rreth 30 vende sa do të arrinin me vende të rezervuara ata do të kishin pjesëmarrjen e tyre në Kuvend prej 25%. Prandaj, me asnjë të drejtë nuk mund të trumbetohet sot se ne do të duhej të rrudhnim vendet e deputetëve shqiptarë në Kuvend për të rritur ato të përfaqësuesve të komuniteteve joshumicë, për të bërë pazar për Forcat e Armatosura të Kosovës”, thuhet në reagim.

LDK ripërsëritë qëndrimin se themelimi i Forcave të Armatosura, përkatësisht Ushtrisë së Kosovës duhet të bëhet mbi baza parimore, kushtetuese, si e drejtë legjitime e një shteti sovran, si forcë gjithëpërfshirëse multietnike në bashkëpunim me partnerët tanë strategjik, SHBA-të dhe NATO-n.

Presidenti Thaçi, në një intervistë në emisionin “Debat” të RTK-së ka rikujtuar vendimet e LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje që të mos votonin për formimin e FAK-ut në vitin 2014.

“Në shkurt të vitit 2014 e kemi arritur pajtueshmërinë edhe me NATO’n edhe me SHBA-në për të kaluar FSK në Forca të Armatosura të Kosovës përmes procesit të ndryshimeve kushtetuese. Dhe të gjithë jemi dakorduar që kjo të ndodh si partnerë të koalicionit, madje edhe 25 deputetë të komuniteteve të ndryshe duke përfshirë serbët dhe komunitetet tjera, janë pajtuar që të votojnë themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Në atë kohë kam qenë Kryeministër  Për fat të keq subjekte të caktuar politik për interes të ngushtë politik e elektoral duke iu frikësuar fitimit të poenave politik të ndokujt kanë kërkuar që kjo çështje të shtyhet për pas zgjedhjeve 2014”, ka thënë Thaçi. /Insajderi.com