LDK në Prishtinë dënohet me mijëra euro – shpërfillet urdhri i Mustafës

LDK në Prishtinë dënohet me mijëra euro – shpërfillet urdhri i Mustafës

Lidhja Demokratike e Kosovës, dega në Prishtinë është dënuar edhe me 2 mijë e 500 euro nga Paneli Zgjedhorë për Ankesa dhe Parashtresa, pas ankesës së Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, shkruan Insajderi.

Ankesa është bërë nga aktivistët e Vetëvendosjes të cilët kishin vërejtur në disa rrugë të kryeqytetit se janë vendosur njoftime për takimin elektoral të kësaj partie, të cilat bien ndesh me rregullat zgjedhore.

Në anën tjetër LDK në përgjigjen e saj i kishte konsideruar si të pabazë ankesën e VV-së. Sipas tyre kjo po bëhet me qëllim të dëmtimit të LDK-së.

“Nuk ka ndodhur shkelja e rregullave zgjedhore, pasi që fjala është për njoftim mbi tubimin elektoral, që ka karakter të një njoftimi të përkohshëm mbi zhvillimin e një ngjarje”, thuhet në përgjigjen e LDK-së.

Ndërkohë që pas analizimit të ankesës nga Lëvizja Vetëvendosje dhe përgjigjes së Lidhjes Demokratike të Kosovës, PZAP ka vendosur se LDK në këtë rast ka bërë shkelje të rregullave zgjedhore.

“Nga fotografitë e ofruara si provë të cilat gjendën në shkresat e lëndës shihet qartë se njoftimet për tubime të subjektit politik LDK, janë vendosur në vende publike, veprim ky që është në kundërshtim me nenin 33, pika b), të LZP-së e cila përcakton: ‘Veprimet e ndaluara nga ana e subjekteve politike gjatë fushatës zgjedhore që ndalon vendosjen e pllakave, posterave dhe njoftimeve në apo mbi rrugët publike”, thuhet në vendimin e PZAP-së

Sipas këtij vendimi Lidhja Demokratike e Kosovës është e obliguar që dënimin prej 2 mije e 500 euro ta paguajë brenda 15 ditëve.

Kujtojmë se LDK e drejtuar nga Isa Mustafa prinë si partia me më së shumti gjoba të shqiptuara nga PZAP, në zgjedhjet lokale që do të mbahen me 22 tetor.

Lidhur me dënimet e LDK-së kryetari i kësaj partie Isa Mustafa i ka kërcënuar ditë më parë të gjithë kandidat për kryetar të komunave dhe për asamble se nëse bëjnë shkelje, do të dënohen me votë duke mos kërkuar votë për ata kandidatë./Insajderi.com