LDK kërkon nga Vetëvendosje “të heqë dora nga dhuna”

LDK kërkon nga Vetëvendosje “të heqë dora nga dhuna”

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas arrestimit të gjashtë aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët po dyshohen se kanë sulmuar objektin e Kuvendit të Kosovës më 4 gusht.

Përmes një komunikate për media, LDK inkurajon organiket e drejtësisë që të marrin të gjitha masat për garantimin e një ambienti të sigurt për qytetarët dhe për nxjerrjen para drejtësisë të kryerësve të veprave penale.

“LDK i bën thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që të heq dorë nga dhuna dhe veprimet anarkike të cilat kanë për synim futjen e vendit në cikël dhune me pasoja të paparashikueshme, dështimin e liberalizimit të vizave, cenon partneritetin strategjik me SHBA-të dhe stagnon të gjitha proceset shtetndërtuese dhe integruese euroatlantike”, thuhet në komunikatë.

Gjashtë aktivistë të Vetëvendosjes u arrestuan nga policia të martën si të dyshuar për sulmin me armë ndaj Kuvendit.  Në një konferencë për media, prokuroria ka thënë se ata dyshohen për terrorizëm.  Vetëvendosje ka hedhur poshtë këto akuza, duke thënë se rasti është i montuar dhe po ndodhë vetëm dy ditë para protestës së paralajmëruar kundër demarkacionit.

LDK po ashtu ka “vlerësuar” qytetarët e Kosovës, që sipas tyre nuk po bien pre e veprimeve, planeve dhe skenarëve që kanë për qëllim destabilizimin dhe zhytjen e vendit në kaos dhe anarki, për përfitime politike të një partie opozitare.

“Lidhur me zhvillimet e fundit dhe nxjerrjen në dritë të fakteve që implikojnë përfaqësuesit e një subjekti politik në veprimet të dhunshme kundër institucioneve, LDK shpreh shqetësimin e saj dhe njëkohësisht shpreh mbështetje për organet kompetente shtetërore që të marrin të gjitha masat për garantimin e një ambienti të sigurt për qytetarët dhe për nxjerrjen para drejtësisë të kryerësve të veprave penale”, thuhet në komunikatë./Insajderi.com