“LDK-ja është si Barcelona dhe Reali”

“LDK-ja është si Barcelona dhe Reali”

Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, ka thënë se s’mund të përmendet politika dhe proceset politike në Kosovë pa u përmendur LDK-ja, si partia më e vjetër dhe më institucionaliste.

Madje Rugova, në një intervistë me Klan Kosovën, partinë e tij e ka krahasuar edhe me skuadrat e fuqishme të futbollit.

“LDK-ja është si Barcelona e Reali”, pohoi Rugova duke provuar të tregojë madhësinë, fuqinë e rëndësinë e LDK-së.

Deputeti i zgjedhur ka thënë se ai do të votojë në parlament ashtu siç vendos këshilli i përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, por, sipas tij, ende s’ka një vendim final.

“Ende nuk ka një vendim final nga LDK-ja”, ka thënë Rugova. “Por, ne kemi pasur dy takime zyrtare; një qëndrim, që ende nuk është final, është jo me PDK-në. Por, s’ka asgjë të keqe që të ulemi me AAK-në e Nismën”.

Rugovës, që iu lakua emri ditëve të fundit se do ta votojë Ramush Haradinajn, për kryeministër të Kosovës, pohoi se s’voton ndryshe, pos ashtu siç e vendos LDK-ja.

“Për të 10-ën herë publikisht them se Naser Rugaova është deputet i LDK-së dhe unë jam institucionalit. Duke e ditur dhe njohur politikën pasi jam aktiv që dy dekada, Naser Rugova, voton në koordinim me atë që e vendos LDK-së. Në harmoni të plotë me këshillin e përgjithshëm të LDK-së dhe grupin parlamentar të LDK-së”, u shpreh Rugova. /Insajderi.com