LDK fajëson Shpend Ahmetin për dëbimin e familjeve nga “Dardania”

Dega e LDK-së në Prishtinë ka thënë se është e shqetësuar për dëbimin e familjeve nga banesat në lagjen “Dardania”, të cilat konsideruar si të uzurpuara.

LDK fajëson Shpend Ahmetin për dëbimin e familjeve nga “Dardania”

Përmes një komunikate për media, LDK ka thënë se për këtë përgjegjësia duhet të bie mbi kreun e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetin, i cili sipas LDK-së, me këtë veprim “ka shpërfaqur mentalitetin keq-qeverisës të tij”.

“Lidhja Demokratike, Dega IV Prishtinë, shpreh shqetësimin e thellë për dëbimin me forcë të familjeve nga kompleksi i banesave në Dardani. Ky rast paraqet keqtrajtim të banorëve dhe familjeve të tyre. Dega IV e LDK Prishtinë, vlerëson se përgjegjësia politike, morale dhe profesionale, para së gjithash bie mbi Kryetarin e Komunës, z. Shpend Ahmeti”, thuhet në komunikatë.

Sipas LDK-së, qeverisja nga Ahmeti është e bazuar në politizim dhe polarizim të hapësirës publike, raporton Insajderi.

“Tashmë secilit që njeh Prishtinën dhe qeverisjen me të, i është bërë krejtësisht e qartë, që ky mentalitet keq-qeverisës, burimin e legjitimitetit, apo përkrahjes, edhe ashtu të copëtuar politike, e bazon në politizimin dhe polarizimin e hapësirës publike, përmes instalimit të krizave publike, politike, e qytetare, të cilave po i ekspozohemi nga dita në ditë, në vazhdimësi. Sidoqoftë, në këtë rast, politizimi dhe polarizimi i kësaj hapësire, pothuaj ka tejkaluar të gjithë kufijtë dhe fatkeqësisht ka shkelur mbi dinjitetin dhe mirëqenien e banorëve në fjalë”, thuhet tutje në komunikatë.

Aty thuhet se dega e IV e LDK Prishtinë, vlerëson se anulimi i dëbimit me forcë, përmes vazhdimit të lejimit të qëndrimit të banorëve, tregon se dëbimi ishte një veprim i pamatur dhe i nxituar, i cili nuk do të korrigjohej sikur mos të përballej më rezistencë dhe refuzim qytetar, publik dhe politik. Thjeshtë, dëbimi nuk do të duhej të ndodhte.

LDK ka thënë se Ahmeti i ikë komunikimit të drejtpërdrejtë me publikun dhe se i fyen banorët duke i quajtur uzurpatorë.

“Dega e IV e LDK Prishtinë, vlerëson se ky rast është dashtë të menaxhohet ndryshe, dhe se ka pasur dhe ka hapësire për zgjidhje të përhershme, duke përfshirë këtu edhe mundësitë e ofrimit të strehimit social për familjet në nevojë. Është paradoksale, që Kryetari aktual, përkrahjen e tij politike dhe qytetare për të ardhur si i pari i komunës, e ka ndërtuar mbi një program social, me fokus përkrahjen e familjeve përmes strehimit dhe lehtësirave tjera. Dega IV e LDK fton Kryetarin Ahmeti, që në ushtrimin e pjesës së mbetur të mandatit, së paku të tregojë respekt dhe maturi, t’i shmanget qasjes arbitrare dhe të realizoj premtimet ndaj qytetarëve, me theks të atyre me karakter social”, përfundon komunikata. /Insajderi.com