LDK ende e pavendosur për kandidatin për kryetar të Prizrenit – Selmanaj apo Baxhaku

LDK ende e pavendosur për kandidatin për kryetar të Prizrenit – Selmanaj apo Baxhaku

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në mbledhjen e mbajtur të mërkurën pasdite, ka diskutuar lidhur me emrat e kandidatëve për kryetar të komunave të Prishtinës dhe Prizrenit, në zgjedhjet komunale të 22 tetorit.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, bëri të ditur pas përfundimit të mbledhjes se për Prizren janë propozuar disa emra dhe se më së shumti përafrim ka për Hatim Baxhakun dhe Driton Selmanajn, raporton Ekonomia Online.

Mustafa tha se takimi i sotëm ishte konsultativ dhe se ditëve në vazhdim pritet të dalin me kandidatin për Prizren.

Kryetari i Degës së LDK-së, Haxhi Avdyli, duket se e përkrah kandidaturën e Baxhakut.

LDK ka vazhduar edhe sot të diskutojë për kandidatin për kryeqytet.

Zyrtarët e LDK-së nuk kanë dashur të përmendin emra, por Ekonomia Online merr vesh se kandidatët më potencialë janë Ismet Beqiri, Vjosa Osmani dhe Arban Abrashi.

LDK, javën e kaluar, zyrtarizoi kandidatët në komunat të cilat aktualisht udhëheq.

Deri më tani, për kreun e kryeqytetin është zyrtarizuar vetëm kandidatura e Shpend Ahmetit nga Lëvizja Vetëvendosje; kurse Partia Demokratike pritet të garojë me kryetarin e Degës – Lirak Çelaj.

Të gjitha partitë duhet t’i dorëzojnë emrave e kandidatëve në KQZ deri më 22 gusht.