LDK dhe opozita habiten me deklaratën Veselit për zgjedhje të parakohshme

LDK dhe opozita habiten me deklaratën Veselit për zgjedhje të parakohshme

Një ditë pasi kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli paralajmëroj mundësinë e zgjedhjeve të parakoshme në vend, kanë reaguar zyrtarë të ndryshëm nga partitë parlamentare në vend, duke filluar nga partneri i PDK-së në Qeveri, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe tri partitë opozitare.

Përderisa Ismet Beqiri nga LDK-ja ka thënë se LDK nuk ka informata për këtë temë.

“Së pari, nuk kam dëshirë t’i interpretoj deklaratat. E dyta, ishte dashur me qenë të informuar, po të ishte ashtu, siç po interpretohet, jo vetëm unë, por LDK-ja, sepse ne kemi një koalicion qeverisës. Kjo qeveri nuk është e një partie politike, por është e një koalicioni”, ka thënë ai për Radion Evropa e Lirë.

Një prej personaliteteve kryesore të partisë më të madhe opozitare në vend, Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka thënë se Veseli nuk e ka seriozisht me çfarë po thotë dhe se këtë e tregon më së miri se si ai nuk ka bërë asnjë hap në këtë drejtim.

“Veseli po gënjen, nuk është e vërtet se është në përpjekje për të gjetur një zgjidhje me opozitën. Nëse e konsideron Lëvizjen Vetëvendosje opozitë, Veseli me VV nuk ka asnjë kontakt tjetër përveç asaj që ka në seanca plenare në Kuvend të Kosovës. Kështu që ja ka fut kot. Po duket se pushteti ka nisur të taktizojë sa i përket zgjedhjeve të parakohshme”, ka thënë Selimi për “KosovaPress”.

Haxhi Shala, deputeti i Nismës për Kosovën, subjekt ky opozitar, ka theksuar se zgjedhjet do të ishin zgjidhje në situatën e tanishme.

“Nuk e kam marrë fort serioze atë deklaratë të zotit Veseli, sepse nuk mund të thotë ai se ‘unë nuk jam fajtor për keqqeverisjen’ kur dihet se edhe PDK-ja është në qeverisje në këtë vend. Por, sidoqoftë, në qoftë se e ka me të vërtetë dhe e ka pasur një deklaratë serioze, unë mendoj se jemi për zgjedhje. Pse të mos jemi? Vetëm zgjedhjet mund t’i japin drejtim këtij vendi në këto pika që janë të kontestuara nga opozita”, ka thënë Shala.

Pal Lekaj, shef i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, subjekt ky opozitar në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se vendi është dashur të shkojë në zgjedhje shumë më herët se sa tash.

“Mendoj që ne e kemi marrë seriozisht këtë keqqeverisje të vendit, që shumë më herët është dashur të shkojë vendi në zgjedhje, sepse kemi shumë gjëra që kontestohen dhe janë të kontestueshme”, ka thënë Lekaj, për Radion Evropa e Lirë.

Një prononcim prej AAK-së, në lidhje me këtë çështje është dhënë edhe dje nga Muharrem Nitaj, anëtar i Kryesisë dhe zëdhënës i partisë. Ai ka thënë se AAK-ja, duke marrë shkas nga zërat në rritje, duke përfshirë edhe ata të shumicës parlamentare, për zgjedhje të parakohshme, ka numëruar 10 arsye, pse Kosova do të duhej të shkojë në zgjedhje të parakohshme./Insajderi.com