LDK dënon “përfshirjen e presidentit Thaçi në fushatën në Vushtrri”

LDK dënon “përfshirjen e presidentit Thaçi në fushatën në Vushtrri”

Shtabi i Degës së LDK-së në Vushtrri shpreh shqetësim të thellë në lidhje me, siç ka thënë takimet e presidentit Hashim Thaçi me kandidatin për kryetar të kësaj komune nga radhët e PDK, së, Ferid Idrizi dhe kryetarin e Degës së PDK-së në Vushtrri, Kurtan Kajtazi, gjatë një vizite në këtë qytet.

“Duke iu referuar lajmit të portalit www.viciana.info, pronar i të cilit është z. Shemsedin Preteni – zëdhënës i Komunës së Vushtrrisë gjatë mandatit të fundit të qeverisjes së PDK-së në këtë komunë, mësohet se kreu i shtetit ka takuar zyrtarët më të lartë lokalë të PDK-së në restoranin ‘Ura e vjetër e gurit’, i cili po ashtu është në pronësi të një zyrtari të PDK-së, z. Sami Istrefi, kandidat për Kuvend Komunal nga radhët e PDK-së dhe drejtor i deritashëm i Shërbimeve Publike në Komunën e Vushtrrisë”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Përmes këtij reagimi, Dega e LDK-së në Vushtrri dënon “përpjekjet e presidentit për ndërhyrje politike në kohë fushate dhe ia përkujton atij obligimin kushtetues që ka kreu i shtetit – të qenit apartiak, apolitik dhe i paanshëm në raport me zhvillimet politike”.

“Takimi i Presidentit Hashim Thaçi me zyrtarët e lartëpërmendur përbën shkelje të Kushtetutës. Lidhja Demokratike e Kosovës – Dega në Vushtrri zotohet se më 22 tetor do ta çojë pushtetin e kalbur të PDK-së në shtëpi. Epoka e Hashim Thaçit ka mbaruar dhe po ashtu e PDK-së në qeverisjen komunale në Vushtrri e gjithandej në Kosovë”, thuhet në reagimin e LDK-së.