Lazio interesohet për talentin që Prishtina ia kishte “falur” Skënderbeut

Lazio interesohet për talentin që Prishtina ia kishte “falur” Skënderbeut

Skuadra e njohur e Serisë A italiane, Lazio interesohet për ish-futbollistin e Prishtinës dhe Flamurtarit të Prishtinës, Liridon Latifin.

Siç njoftojnë mediet italiane, drejtori sportiv i Lazios Igli Tare nuk ishte vetëm si tifoz i Shqipërisë mbrëmjen e së premtes në Palermo.

Tare kishte shkuar me motivin e qartë për të ndjekur nga afër lojtarët e klubit që ai përfaqëson (Strakosha dhe Immobile, të cilët ishin në fushë në Itali-Shqipëri), por edhe për të monitoruar ndonjë element që mund të tentohet nga Lazio gjatë verës.

Dhe një ndër to është pikërisht mesfushori kosovar i Skënderbeut të Korçës.

Sipas “Corriere Dello Sport”, Tare interesohet të afrojë te Lacio Latifin, i cili shihet si një lojtar shumë premtues.

Në janar të vitit 2015, Latifi ishte transferuar nga Prishtina tek Skënderbeu i Korçës me parametra zero. Ish-anëtari i të rinjve të Flamurtarit ishte larguar nga Prishtina, pasi i kishte skaduar kontrata me klubin më të madh kosovar.

Tani Latifi mund të bëhet transferimi rekord i Kategorisë Superiore të Shqipërisë. Për futbollistin prishtinas ka pasur interesim nga Club Brugge në Belgjikë dhe Astana në Kazakistan.

Latifi debutoi me kombëtaren kundër Italisë, duke u aktivizuar në minutën e 88-të. Minutat sigurisht ishin të pakta që ai të tregonte veten, megjithatë në vazhdim vëzhgimet mund të shtohen.

Gazeta italiane konfirmon interesimin e Tares për kosovarin. Sipas të dhënave të italianëve, Latifi rezulton të jetë lojtar i lirë në fund të këtij sezoni dhe mund të largohet me parametër zero nga klubi korçar. /Insajderi.com