Lavdi kriminelëve!

Nasim Haradinaj, pa të drejtë u vu në thumb të kritikave për deklaratën e tij: “Punë e madhe që janë vrarë aktivistë të LDK-së”. Ai, thjeshtë konfirmoi motivin e vrasjes së aktivistëve të LDK-së: U vrarë sepse ishin kundërshtar të njerëzve të fuqishëm të SHIK-ut, PDK-së dhe AAK-së.

Lavdi kriminelëve!

Të flasësh dhe shkruash kundër krimit në Kosovë je i rrezikuar deri në ekzistencë. Ta mbështesësh krimin, je i duartrokitur deri në lavdi.

Nazim Bllaca dhe Shkumbin Mehmeti me shokët e tyre janë dëshmia më e fortë për këtë.

Bllaca, një kriminel i penduar kishte marrë guximin për të treguar për krimet e një grupi të udhëhequr prej Azem Sylës që kishte kryer të paktën 17 krime të rënda, përfshirë vrasje të aktivistëve të LDK-së.

Për ta ndaluar që të mos flas, Bllacës iu ofruan para të majme. Kur nuk arritën ta bindin, u gjet një person i quajtur Hysri Rama, që u pagua 100 mijë euro për ta vrarë.

Pastaj, u sulmua tri herë me armë zjarri në shtëpi. Njëherë me raketahedhës.

Bllaca, arriti të mbijetojë dhe të dëshmojë për krimet monstruoze të njerëzve më të fuqishëm të lidhur me pushtetin e PDK-së, siç është Azem Syla, që gjendet në burg për zhvatje të pasurisë së Kosovës në vlerë 30 milion euro.

Falë dëshmive të tij, dënime me burgim u shqiptuan gjyqtarët e EULEX-it njerëzve të afërm dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë të Azem Sylës.

Mbështetësit e krimit dhe bashkëpjesëmarrësit në krim nga ana tjetër, edhe sot e kësaj dite gëzojnë lavdi. Azem Syla, ishte deputet në Kuvendin e Republikës. Kushërirë e tij, të bashkakuzuar, gëzojnë pasuri marramendëse falë kriminalitetit shumëvjeçar të papenguar nga pushteti.

Shpresim Uka, punonte në Postë. Kur shkoi në burg, e dërgoi vajzën si zëvendësim. Driton Hajdari merrte pension invalidor si veteran i UÇK-së, pa qenë kurrë në UÇK. 270 euro në muaj e kompensonte shteti për një plagë në shpinë që e kishte marrë në një aksion për vrasjen e aktivistit të LDK-së, Ismet Arifi.

Njerëz tjerë të lidhur me ta punonin në institucione shtetërore. Kriminelë dhe mbështetës të krimit gëzonin dhe gëzojnë privilegje e respekt.

Shkumbin Mehmeti është i vetmi i dënuar për një vrasje të dy policëve, ani se pjesëmarrës dhe ndihmës në këtë krim ishin shumë persona tjerë, përfshirë një truproje të kryeministrit, Ramush Haradinaj, Bedri Krasniqi.

Mehmeti, thuajse i vetëm po lufton që një dekadë që ta dëshmojë në detaje këtë krim dhe krime tjera. Ai vetëm po kërkon që ta vuaj përgjegjësinë e tij.

Fakt është se nuk ishte i vetëm në këtë krim. Ishin edhe eksponentë tjerë si Bedri Krasniqi, Alban Dizdari, Florim Ejupi, Ibrahim Kelmendi me vëllezër.

Por, kriminel të lidhur me shtetin dhe pushtetin kanë përdorur të gjitha format përfshirë kërcënimin e familjarëve të tij me vrasje, për t’ia mbyllur gojën.

Mbështetës të krimit dhe pjesëmarrës në krime bashkë me Shkumbin Mehmetin, nga ana tjetër gëzojnë privilegje dhe mbështetje të jashtëzakonshme.

Janë anëtar të lartë të PDK-së dhe AAK-së. Punojnë në Postë siç është Osman Kelmendi. Mbajnë pozitë këshilltari të kryeministrit, siç është Gazmend Syla.

Shembullin tjetër më të freskët të mbështetjes së krimit dhe kriminelëve e dha javë më parë kryeministri Ramush Haradinaj. Në mënyrë krejtësisht klandestine dhe në kundërshtim me Ligjin që ndalon pjesëmarrjen e kosovarëve në luftëra të huaja, Haradinaj ndau 290 mijë euro për familjet e të vrarëve dhe të dënuarve në rastin Kumanova.

Banda e udhëhequr prej Beg Rizajt dhe Mirsad Ndrecajt ka qenë e njohur për aktivitete kriminale në Kosovë, para se të shkonin në Maqedoni. Të përfshirë në dhjetëra krime gjithandej vendit.

Para se të niseshin për në Maqedoni, kjo bandë kishte planifikuar një sulm në Burgun e Sigurisë së Lartë në Gërdovc.

Donin të nxirrnin nga burgu ish-truprojën e Haradinajt, Bedri Krasniqin.

Plani që të kryhej një sulm i madh i armatosur mbi objektin që supozohet të jetë më i sigurti, për ta liruar vrasësin e policëve, Sabahate Tolaj dhe Isuf Haklaj; kidnapuesin e biznesmenit Azem Morina; të akuzuarin për pjesëmarrje në vrasjen e dy policëve në vitin 2004 – njëri i Kosovës dhe tjetri i UNMIK-ut, Bedri Krasniqi.

Aksioni kishte dështuar. Policia kishte marrë informacione për këtë. Kishte rritur masat e sigurisë rreth objektit të burgut.

Megjithatë, kryeministri u dha mbështetje këtyre kriminelëve duke i mbështetur edhe financiarisht.

Nasim Haradinaj, pa të drejtë u vu në thumb të kritikave për deklaratën e tij: “Punë e madhe që janë vrarë aktivistë të LDK-së”.

Ai, thjeshtë konfirmoi motivin e vrasjes së aktivistëve të LDK-së: U vrarë sepse ishin kundërshtar të njerëzve të fuqishëm të SHIK-ut, PDK-së dhe AAK-së.